Një vajzë 13-vjeçare nga Shkodra u gjet nga Policia në Tiranë një javë pasi ishte larguar nga familja dhe ka dyshime të forta se mund të jetë abuzuar seksualisht. Burime nga Policia tregojnë se, pas verifikimit të kamerave, rezulton se e mitura është larguar nga shkolla në Shkodër me një taksi, me të cilën ka udhëtuar drejt Tiranës.

Ajo ka lëvizur në disa qytete, nga Tirana në Gjirokastër, më pas në Fier dhe është kthyer sërish në Tiranë, ku është gjetur në ambientet e një parukerie. Falë këqyrjes së telefonit të së miturës, janë identifikuar edhe dy personat e arrestuar, nën dyshimet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të.

Dy persona të cilët dyshohet se mund të kenë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën janë Elton Vrenozi 49-vjeç banues në Fier dhe Adrian Qerimi 46 vjeç banues në Tiranë. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”.

Vajza jetonte me nënën në Shkodër, ndërsa babai i saj ndodhet në burg. Ajo ka lindur në SHBA, dhe prej vitesh familja është kthyer në atdhe. Duke qenë se vajza ka shtetësi amerikane, hetimet po asistohen edhe nga Ambasada e SHBA-ve.

E mitura u largua nga Shkodra pasi kishte shkuar në shkollën private që e frekuentonte prej 4 vitesh nga kthimi në Shqipëri. Pasi u gjet në Tiranë deklaroi në polici se është abuzuar seksualisht nga të rritur në disa qytete të Shqipërisë.

13-vjeçarja po merr kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike në një qendër sociale. Hetimet pritet të zbardhin nëse e vogla që jetonte vetëm me nënën dhe me babanë në burg, të jetë shfrytëzuar për prostitucion.

Njoftimi i policisë:

Pas kallëzimit të familjarëve se një 13-vjeçare ishte larguar nga banesa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër nisën kërkimet për gjetjen e saj. Kërkimet u zhvilluan në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë.

Në kuadër të hetimeve për këtë rast, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shërbimet e DVP Fier ndaluan shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier.

Gjykata caktoi ndaj të dy shtetasve masën e sigurimit personal “Arrest në burg”. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë