Gazetari rus, Arkadiy Babchenko, i raportuar i vdekur ditën e djeshme në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, rezulton se është gjallë. 

Ngjarja është sajuar si inskenim për identifikimin e disa agjentëve rusë të cilët kishin planifikuar ekzekutimin e tij. Babchenko njihej si kritik i Vladimir Putin dhe politikave të Kremlinit dhe përhapja e lajmit të vrasjes së tij u lidh menjëherë me qëndrimet e tij anti-Putin. 

Ai u shfaq ditën e sotme në një konferencë shtypi në televizionin shtetëror ukrainas në gjendje të mirë shëndetësore. Kreu i shërbimeve të sigurisë të Ukrainës, Vasyl Hrytsak, tha në konferencën për shtyp se 'vrasja' ishte organizuar për të ekspozuar agjentët rusë. 

"Sipas informacioneve të marra nga shërbimi i sigurimit ukrainas, vrasja e gazetarit rus Arkady Babçenko u urdhërua nga vetë shërbimet ruse të sigurisë," tha Hrytsak. Gruaja e Babchenko kishte thënë më parë se ai ishte qëlluar në shtëpinë e tyre.