Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi ndihet e keqardhur për vendin e 16-të në Olimpiadën Dimërore, paçka se në lëshimin e parë të disiplinës Slalom Gjigant u rendit e katërta. Pas garës ajo u shpreh e emocionuar për rezultatin, duke premtuar se më 18 shkurt do tentojë të bëjë më mirë në garën e radhës në disiplinën e Slalomit.
“Është e vërtetë që bëra një lëshim të parë fantastik dhe këtë nuk e kuptova derisa arrita në fund të pistës. Aty kuptova që kisha bërë kohën më të mirë deri në atë moment. Nuk bëra mirë në lëshimin e dytë dhe nuk e di ende se faji i kujt ishte, i pistës apo i skive.
Megjithatë ndjehem shumë mirë mendërisht dhe shpresoj të jap më të mirën time në garën e ardhshme në disiplinën Slalom. Do të mundohem të shtyj fort që të arrij një rezultat të mirë.
Ndihem shumë mirë që marr pjesë në këtë Olimpiadë dhe më gëzon fakti që ka kaq shumë njerëz që më mbështesin. Jam e lumtur për faktin se sporti i skive po bëhet popullor në Shqipëri”, tha Lara Colturi për RTSH.
Lajmi kryesor:
'Milano Cortina'/ Lara Colturi e pafat, e mbyll garën e Slalomit Gjigant në vendin e 16-të! Semire Dauti renditet e 44-ta, Italia merr të artën







