Policia e Durrësit arrestoi drejtuesin Teknik të firmës “AL – STEEL CONSTRUCTION 01” dhe drejtuesin e vinçit nga i cili ra teksa po priste degët e palmave, Andi Lala.
35-vjeçari me banim në Kamëz, punonte në firmën për ndërtimin e pedonales në plazh dhe në një moment ka hipur mbi vinç për të prerë degët e palmave dhe ka rënë nga koshi i vinçit të punës.
Sipas policisë, në një njoftim zyrtar, prerja e palmave ishte pa lejen e organeve kompetente ndaj u arrestuan në flagrancë Enrik Mahmutaj dhe Blerim Margeshi të cilët do të hetohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
"Për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr.13, ku humbi jetën punonjësi i një firme që kryen punime për ndërtimet e pedonales në këtë zonë, i cili po priste degët e palmëve, pa lejen e organeve kompetente, u arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”: Enrik Mahmutaj, 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës; Blerim Margesh, 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit nga i cili ra shtetasi A. L., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili për pasojë humbi jetën", njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.