Nisur nga kjo situatë veprimet e kryera prej saj janë në tejkalim të kompetencave për ushtrimin e ndjekjes penale, neni 128 i K.Pr.Penale. Avokati i të pandehurit Shpëtim Gjika, Ardian Leka dhe avokati i të pandehurit Gëzim Feta, Aranit Roshi u shprehën para gjykatës se: ”...rezulton se maksimalisht më datë 22/12/2012 është plotësuar afati tre mujor i hetimeve paraprake dhe se nga ana e prokurorisë nuk është marrë asnjë vendim për zgjatje të afatit të hetimeve brenda kesaj date, çka do të thotë se çdo veprim i mëtejshëm i prokurorisë tej kësaj date është në shkelje të hapur të ligjit, pasi tej këtij afati prokuroria nuk ka patur të drejtë të ushtrojë ndjekjen penale, sepse kishte përfunduar afati tre mujor i hetimeve i lejuar nga neni 323 i K.Pr.Penale dhe nuk është marrë asnjë vendim për zgjatje të këtij afati në përputhje me nenin 324 të K.Pr.Penale”.
Akti i ekspertimit
Sipas mbrojtësve ligjorë i pavlefshëm është dhe akti i ekspertimit që prokuroria ka kryer për dy pallatet pa lejë në Vlorë. Për pasojë,sipas avokatëve gjatë veprimeve hetimore ka shkelur dhe të drejtat e njeriut. “Disa nga momentet më evidente ku këto të drejta dhe garanci janë shkelur në mënyrë flagrante, berja e aktit te ekspertimit topografik në kundërshtim flagrant me parashikimet e nenit 179/2 të K.Pr.Penale, si dhe shume shkelje të tjera. Në vështrim të parashikimeve të nenit 128 të K.Pr.Penale çdo veprim i kryer tej këtij afati, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mundet kurrsesi të behet i vlefshëm”-thuhet në kërkesën e mbrojtjes.
Argumentat e akuzës
Të hënën e ardhshme pritet që prokuroria e Vlorës të shprehet lidhur me argumentat e saj,ku do kërkojë para gjykatës rrëzimin e pretendimeve të mbrojtjes. Momentalisht procesi ndaj Shpëtim Gjikës dhe të pandehurve të tjerë është në fazën fillestare dhe ende nuk është marrë asnjë provë në shqyrtim.
Vendimi i 2002
Në kërkesën e tyre për pushim të dosjes penale avokatët i janë referuar një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, të marrë në 27 shtator 2002, i cili flet për qartësimin e statusit të të pandehurve gjatë hetimeve.
Gjika: Dosja e montuar politikisht
Kreu i bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika, i pandehur me akuzën e falsifikimit të dokumentave zyrtare deklaron se procesi gjyqësor ndaj tij është i montuar thjesht për qëllime politike dhe kërkon pushimin e çështjes. Avokati mbrojtës i Gjikës, Ardian Leka kërkoi nga gjykata të pushojë çështjen me argumentin se prokuroria ka shkelur afatet e hetimeve. ”Sot jam prapë në seancë për gjykim. Do të quhet çdo të hënë me Shpëtim Gjikën”.
Ky proces i inicuar nga prokuroria është një proces i montuar, një proces i cili është nisur thjeshtë dhe pastër për qëllime politike prandaj unë jam i qartë dhe i pastër në ndërgjegjen time dhe jam në paqe me moralin tim sepse e di si ka filluar, për çfarë arsyesh ka filluar dhe pse është hetuar.
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)