Ardian Dvorani ka marrë në dorë çmimin si ndër 12 kampionët kundër korrupsionit në botë, për të cilin u vlerësua ditën e djeshme nga DASH.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar një foto të Dvoranit teksa ka marrë çmimin dhe shkruan se ai u vlerësua nga DASH për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë.

“Sot, gjyqtari Ardian Dvorani mori certifikatën e tij të çmimit Kampion Kundër Korrupsionit, shpallur dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Nëpërmjet këtij Çmimi të sapokrijuar, Departamenti i Shtetit vlerësoi punën e guximshme të 12 avokatëve të luftës kundër korrupsionit nga e gjithë bota, përkushtimi i të cilëve për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe siguruar llogaridhënie, ka mbrojtur bashkëqytetarët e tyre dhe ka ekspozuar keqbërjen.

Gjyqtari Ardian Dvorani nga Shqipëria ishte një prej këtyre kampionëve. Departamenti i Shtetit e vlerësoi Dvoranin për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë. Urime Ardian Dvoranit për përzgjedhjen si një Kampion Kundër Korrupsionit”, shkruan ambasada e SHBA.

Ditën e djjeshme, Departamenti Amerikan i Shtetit renditi ish-kreun e KED Ardian Dvoranin mes 12 personaliteteve më të spikatur në luftën kundër korrupsionit në botë, një vlerësim ky që erdhi pas sulmeve të njëpasnjëshme që i janë bërë nga presidenti i republikës Ilir Meta, pasi Dvorani ishte i vetmi gjykatës që u shpreh kundër tij në procesin e skandalit të video-përgjimit të Dritan Priftit. Ardian Dvorani ka qenë kryesues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që në 2012 dha vendimin unanim të pafajësisë së Ilir Metës, i cili që pas videos së publikuar nga Dritan Prfiti, akuzohej për korrupsion. Megjithatë nuk ishte i vetmi rast, pasi kujtojmë se plotësimi i Kushtetueses solli përplasje mes Ardian Dvoranit dhe presidentit dhe si pasojë ky i fundit e kallëzoi atë në SPAK. 

Vlerësimin e DASH për gjyqtarin, presidenti Ilir Meta e ka quajtur si një fletë lavdërimi të nxjerrë nga kryeministri Edi Rama. Me tone të ashpra në konferencën për shtyp që pati me gazetarët, Meta tha se nuk është aspak i habitur nga ky çmim. Dvorani tha se ndihet i nderuar dhe krenar për këtë vlerësim të lartë, ndërsa reagimi i Presidenti Meta që foli për mafie ndërkombëtare pas vlerësimit të tij nga DASH, për ish kreun e KED-së është deklaratë e pa komentueshme.