U vetëvra në ‘anijen hotel’, familja e emigrantit Leonard Farruku: Qeveria britanike duhet të mbajë përgjegjësi

U vetëvra në ‘anijen hotel’, familja e emigrantit Leonard Farruku: Qeveria britanike duhet të mbajë përgjegjësi

Leonard Farruku

Familja e Leonard Farrukut, shqiptarit që u vetëvra në anijen hotel për emigrantët në Angli, kërkon që qeveria e Britanisë së Madhe të mbajë përgjegjësi për vdekjen e djalit të tyre.

'The Guardian' i ka kushtuar një artikull vdekjes së Farrukut, në të cilin thuhet se familja e tij ka nisur veprime ligjore kundër qeverisë dhe kërkojnë që të merret një vendim që të nisë një hetim i pavarur për vdekjen e Leonard Farrukut.

Avokatët e familjes thanë se e morën vendimin për të paditur Britaninë e Madhe, pasi qeveria nuk iu përgjigj tre letrave të dërguara nga familja muajin e kaluar, në të cilat kërkohej informacion mbi vdekjen e të riut.

Ata i kanë kërkuar qeverisë që të përgjigjet deri të premten për atë që e cilësojnë si nevojë urgjente për të siguruar prova në lidhje me ngjarjen. Policia dhe mjekësia ligjore po hetojnë vdekjen e Farrukut, i cili u gjet i pajetë në një banjo në anijen Bibby Stockholm. Të tjerë azilantë që qëndrojnë në këtë anije i kanë thënë 'The Guardian' se vdekja e 27-vjeçarit i ka tronditur dhe kanë frikë se të tjerë në bord mund të pësojnë të njëjtin fat.

“Qeveria britanike duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e Leonardit. Dëshira jonë është të kuptojmë të vërtetën e asaj që i ndodhi Leonardit dhe të sigurohemi se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më ndaj azilantëve të tjerë. Qeveria duhet të ndërmarrë një hetim të plotë dhe të pavarur për vdekjen e Leonardit”, tha motra e viktimës, Jola Dushku.

Familjarët e Farrukut i dërguan një letër ministrit të Drejtësisë, Alex Chalk, ku theksohej dështimi i qeverisë për të marrë një vendim nëse do të kryhej një hetim të pavarur nga Avokati i Popullit për Burgjet. Anija-hotel shërben për mbajtjen e azilkërkuesve, por avokatët thonë se është gati-gati një paraburgim, duke pasur parasysh vendndodhjen e largët dhe kufizimet. Për këtë arsye sipas tyre duhet të nisë një hetim “i jashtëzakonshëm”.

Në letrën drejtuar ministrit ngriheshin edhe shqetësime të tjera edhe në lidhje me kushtet brenda anijes dhe nevojat për kujdes të shëndetit mendor për persona që ndodhen aty. Kërkesa për nisjen e një hetimi të pavarur u mbështet edhe nga drejtoresha e organizatës Inquest, Deborah Coles. Ndërkohë një zëdhënës i qeverisë tha se incidenti në fjalë po hetohet nga policia dhe ekspertët.

“Do të ishte e papërshtatshme të komentohej më tej teksa hetimi është duke vijuar”, tha ai.

Leonard Farruku, 27 vjeç, i dha fund jetës në anijen hotel Bibby Stockholm. Kjo anije hotel u mor me qira nga qeveria angleze për të zbutur koston ditore prej 8 milion sterlinash të azilantëve të mbërritur gjatë dy viteve të fundit në Angli me gomone mes tyre 12.800 shqiptarë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni