ROSKOVEC -  Sot, familjarë, miq dhe banorë të shumtë u dhane lamtumirën e fundit çiftit, Kosta Plaku dhe Belere Plaku. Një përcjellje mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, ku një komunitet i tërë u bashkua për të nderuar kujtimin e tyre.

Bashkëshortët u vranë me armë gjahu një ditë më parë në banesën e tyre nga ish-dhëndri në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Kosta Plaku, 58- vjeç, humbi jetën menjëherë, ndërsa e shoqja, Belere Plaku, 51-vjeçe mori plagë të rënda dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale por nuk mundi të mbijetojë.

Autori i krimi të rëndë është ish-dhëndrri i tyre, Refit Buzi i cili i dha fund jetës me pushkën që vrau ish-vjehrrin pas krushqisë së prishur. 35 vjeçari, i cili nuk pranonte dot ndarjen nga Rozalinda, vajza 24-vjecarja e çiftit shkoi i armatosur në banesën e tyre dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Më pas mori me forcë ish-partneren dhe u largua në drejtim të ish-fushës së Aviacionit në Kurjan. Policia dhe forcat RENEA e rrethuan dhe ai e liroi ish-të fejuarën, ndërsa vetë qëndroi i ngujuar për disa orë në makinë. Ai nuk iu bind urdhërit të policisë për t’u dorëzuar dhe vrau veten në kushtet e depresionit të thellë.

Për të shmangur tensionet mes dy familjeve, të cilat jetojnë në të njëjtën zonë dhe kanë të njëjten varreze, ceremonia mortore e autorit është planifikuar të zhvillohet te dielen.

Një histori dashurie e nisur vite më parë mes dy të rinjve përfundoi në një prej ngjarjeve më të rënda, duke lënë pas tre të vdekur.

Sa i përket shkaqeve familjet janë të ndara. Të afërmit e Rozalindës thanë vajza i kishte dhënë fund lidhjes pasi Refiti që në fshat njihej me emrin Nertil ishte i dhunshëm. Madje pas ndarjes e përndiqte dhe kërcënonte me jetë studenten e infermierisë.

Ndërsa prindërit e 35-vjecarit, thanë se kur ishin të fejuar, Nertili i dërgonte shuma të mëdha parash, Rozalindës nga Anglia. Ndërsa pas ndarjes, ai kishte këmbëngulur t’i kthente paratë ose të ribashkoheshin.