44-vjecarja kërkohet prej dy vitesh në emisionin ’Pa gjurmë’, ndaj me mbërritjen e informacionit gjatë transmetimit live, stafi siguroi të dhëna nga Amerika e largët. Fillimisht duke sjell dëshminë me audio të zonjës që pretendon se Suzana vijon të jetë e martuar me Aleksandrin në Amerikë, dhe me pas dy foto, ku dyshohet se është imazhi i Suzana Shehut.
"Babai im është shok me Aleksandrin. Unë e kam dëgjuar prej tij si histori, se ajo gruan është në moshë më e vogël dhe se jeton prej vitesh këtu në Amerikë bashkë me Aleksandrin. Vetë historia këtu është përhapur, se ajo është dashuruar shumë e vogël dhe ai ka qenë profesori i saj, por nuk bëhet fare me familjen. Prindërit e saj nuk e kanë pranuar, veçanërisht babai i saj. Ajo ngjan shumë me motrën e saj, që ishte në studio. Kur e kam parë, kam menduar se janë motra binjake. Është ai që nuk e lejon të flasë me familjen, jo ajo. Ai nuk flet shumë për këtë histori, e mban private", thotë dëshmitarja
Stafi ‘Pa gjurmë’ mundi të sigurojë dy fotot ekskluzive, të Aleksandrit dhe bashkëshortes të tij aktuale. Këto foto nuk u bënë publike, për arsye të mëtejshme verifikimi, por u panë nga nëna dhe motra në studio. Nëna e mohon se është ajo vajza e saj, ndërsa e motra dyshon për të kundërtën
‘Kjo mund të jetë. E shoh, e dalloj shumë mirë nga balli, hunda dhe vetullat që i ka si të mamit. Të paktën të reagojë dhe të na flaës. Kaq duam. Të komunikojë edhe me mua si motër se më ka marrë malli shumë dhe më mungon’, pohon motra e Suzanës
‘Nuk është kjo vajza ime. Ky në foto është Aleksandri. E njoh shumë mirë dhe paska ndryshuar shumë, i paskan rënë flokët. Por kjo zonja përkrah tij nuk është Suzana ime’, mohon kategoriksht nëna e Suzanës.'
Por stafi i programit nuk u ndal me kaq. Tentativës për t'u lidhur me vajzën, që dyshohet se është Suzana, iu përgjigj vetë Aleksandri. Në një bisedë bërë në messenger, ai mohon se bashkëshortja e tij është vajza me të cilën ra në dashuri 30 vite më parë, ndërsa jep për herë të parë dëshminë e tij. Ai shkruan se ikja e ish-bashkëshortes së tij mbetet ende enigmë dhe se nuk ka patur kurrë dijeni për Suzanën që prej ditës që ajo humbi cdo gjurmë.
"Po me kujtohet. Ishte ditë e hënë. Rreth orës 10 paradite e datës 5 gusht 1991. Pasi kishte ardhur nga dyqani ku kishte marr bukën ishte larguar nga shtëpia. Unë nuk isha aty ato momente. Kur kthehem atë nuk e gjeta në shtëpi. Kisha shkuar të punoja tokën, aty afër shtëpisë. Pyeta nënën time që tani nuk jeton më. Ajo më tha që Suzana kishte sjell bukën dhe më pas kishte dalë. Shkoj e kerkoj tek shtepia e xhaxhait tim aty ngjitur ku ajo kalonte kohen. Madje edhe xhaxhai im, më tha se ishte ndeshur me të rrugës dhe po ikte nga ’klubi i shoferit’. ’Klubi i shoferit’ ishte stacioni ku merreshin makinat. Unë shkova atje, por Suzanën nuk e gjeta. Kur u ktheva në shtëpi, nuk ishte kthyer ende. U shqetësova shumë, pasi ishte diçka e veçantë. Mbeta I habitur se nuk më kishte dhënë asnjë shenjë më parë, pastaj shkova në polici dhe bëra kallëzimin. E kërkoja gjithandej, ikja e saj mbetet një enigmë për mua. Shkonim shumë mire, përveç problemeve ekonomike si gjithë shqiptarët. Kaq është historia e saj për largimin nga unë. Nuk kam gjë tjetër për të shtuar. Jam shumë më i interesuar se familja e saj që ajo të gjendet."
Suzana Shehu ishte 15 vjece, kur mes saj dhe mësuesit të matematikës Aleksandër Vogli lindi një dashuri. Prindërit nuk do ta pranon kurrë këtë marrëdhënie, por as vendimin e Suzanës për të ikur nga shtëpia për të jetuar me Aleksandrin. Ata jetuan sëbashku një vit me radhë, deri ditën kur vajza nga Lushnja u zhduk pa lënë gjurmë. Ditën që 44-vjecarja humbi, dy familjet hidhnin dyshime tek njëra-tjetra, Aleksandri se vajza ishte kthyer në shtëpinë e prindërve dhe këta të fundit e akuzonin se e kishte trafikuar vajzën jashtë vendit.
"Aleksandrin e kam takuar pak ditë pasi vajza kishte humbur. I kërkova të më gjente vajzën dhe i thashë mos ma ke vrarë. Në polici ai tha se vajza i kishte ikur. Ai mendoi se kishte ardhur tek ne. Vajza nuk kishte ankesa. Ajo na tha se kishin tentuar të dy të emigronin. Ajo na pohoi se do të largohej drejt Greqisë bashkë me Aleksandrin. Mua aty më shkon mendja, se ai e ka trafikuar. Vajza ka jetuar me të për afro një vit dhe u zhduk nga shtëpia e tij."
Asnjë rrethanë e mëtejshme nuk u mësua më pas, pasi dy vite nga humbja e Suzanës, as Aleksandri nuk u pa më në fshat.
"Ai ka trafikuar motrën time. Me paratë e trupit të saj bëri lekët për të ikur në Amerikë. Ne nuk e dijmë se ku ndodhet. Kam kërkuar për t'u lidhur me të, por nuk e kam gjetur", rrëfen motra e Suzanës, Elvira