TIRANË- Në puntatën e sotme të emisionit "Pa Gjurmë" kanë mbërritur disa informacione që mund të ndihmojnë për të gjetur vendodhjen e 19-vjeçares, Arta Mehmeti, të zhdukur 4 ditë më parë. Dy janë pistat kryesore për zhdukjen e saj. Së pari, është raportuar se ajo është kthyer në Kosovë. Ky informacion ka mbërritur nga daja i Artës. Në një lidhje me Skype, vëllai i saj Agroni tha se këtë lajm e ka mësuar nga daja, por nuk ka arritur që të flasë me motrën, ta dijë nëse është mirë ose jo.
"Një njeri e di se ku është Arta. Ne nuk kemi folur me Artën personalisht. Nuk e dimë është mirë apo jo. Personi që na ka tregu është daja ynë. Ai është në spital dhe e kanë lajmëru natën vonë", tha Agroni.
Pista tjetër është se ajo është rrëmbyer. Nga informacionet e sjella në redaksinë e Report Tv, bashkëpunëtori i "Pa Gjurmë" në Francë pasi ka kontaktuar një agjent, dyshohet se Arta është rrëmbyer nga dy djem dhe një vajzë. Po sipas të njëjtit burim, ata janë nisur drejt qytetit të Lyonit nga Clermont-Ferrand drejt Milanos dhe aty kanë marrë avionin dhe kanë udhëtuar drejt Ankarasë në Turqi.
Historia
Arta Mehmeti nga Kosova u zhduk nga Franca, 4 ditë më parë. Rasti i 19-vjeçares denoncohet në "Pa Gjurmë" nga të afërm të saj, pasi ajo u zhduk ditën e fundit që zhvillonte praktikën për kuzhiniere. Më 20 dhjetor të këtij viti u nis si zakonisht herët në mëngjes, një ambiente i cili ndodhej 20 minuta larg nga banesa e saj në qytetin Clermont-Ferrand, afër Lionit. Kushërira e saj komunikoi me të rreth mesdites, në orën 12:00 ajo i dërgoi një foto pa i shpjeguar nëse ndodhej në ambientet e shkollës apo jo. 19-vjecarja dukej me veshje normale, por me përparësen e kuzhinës.Itinerari i tre javëve të fundit i 19-vjeçares ishte praktika që zhvillonte, për t’u pajisur me një diplomë në fushën e gastronomisë si specialiste kuzhine, ndërsa ditën që u zhduk ishte dita e fundit e praktikës.
E humbur katër ditë më parë, familja nuk ka asnjë informacion për fatin e Artës, ndërsa foli për herë të fundit në telefon me babanë, rreth orës 5 të pasdites të asaj dite kur humbi gjurmët. Ajo i tha babait se ishte duke pritur autobusin, ndërsa ky i fundit vonohej për shkak të protestës që zhvillohej prej një jave nga qytetarët francez në qytet.
Me një distancë prej 20 minutash me mjetin e transpotit urban, 19-vjeçarja nuk po kthehej. Kur kishte kaluar afro një orë babai e merr sërish, por telefoni rezultoi i fikur. Në dijeninë e familjarëve Arta nuk ka pasur lidhje me ndonjë djalë, por as shumë shoqëri pasi kishte pak kohë që jetonte në Francë. Madje familjarët kontaktuan edhe me stafin pedagogjik ku ajo zhvillonte praktikën, por askush nuk dha informacion duke e nënvlerësuar faktin, për shkak se ata ishin të huaj.
Protesta në Clermont-Ferrand kishte afro një javë që zhvillohej në të njëjtin qytet ku 19-vjecarja zhvillonte ditët e praktikës. Protestë në të cilën Arta nuk ka marrë pjesë, por që ka qenë e detyruar të kalojë përmes turmës. Shkolla ku Arta zhvillonte mësimin është mbyllur për shkak të festive të fundivitit, që prej ditës së premte kur 19-vjecarja u zhduk. Arta ishte zhvendosur nga Kosova drejt Francës prej tre vitesh, bashkë me dy prindërit, dy motrat dhe dy vëllezërit e saj. Ata jetonin në Francë me dokumente të rregullta.