Shtetet e Bashkuara ua ndaluan të hënën amerikanëve të bëjnë transaksione të lidhura me bankën qendrore të Rusisë, duke i dhënë një goditje dërrmuese ekonomisë së vendit, një masë e mëtejshme ndëshkuese ndaj Moskës për agresionin e saj në Ukrainë. Sanksionet e ashpra ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat ndalojnë gjithashtu transaksionet me ministrinë e financave të Rusisë dhe fondin e saj të pasurisë kombëtare, ka gjasa të rrisin inflacionin në vend, të paralizojnë fuqinë e saj blerëse dhe të ulin investimet, thanë zyrtarët amerikanë të hënën.
Shtëpia e Bardhë vlerëson se Banka Qendrore e Rusisë ka rezerva me një vlerë prej 630 miliardë dollarësh në monedha të ndryshme në vende të tjera. “Banka Qendrore e Rusisë ëshë përpjekur t’i kthejë këto pasuri në Rusi, ose në vende të tjera të sigurta, për t’i përdorur në mbështetje të ekonomisë ose monedhës vendase, rublën”, tha një zyrtar amerikan.
Lëvizja vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vendosën javën e kaluar disa raunde sanksionesh ndaj Moskës, përfshirë kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe institucioneve më të mëdha huadhënëse të Rusisë.
"Objektivi ynë është dobësimi i ekonomisë ruse nëse presidenti Putin vendos të vazhdojë me agresionin në Ukrainë dhe ne i kemi mekanizmat për të vazhduar ta bëjmë një gjë të tillë," tha të hënën një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë të hënën se kishte vendosur gjithashtu sanksione ndaj një fondi kryesor të pasurisë sovrane ruse, Fondit të Investimeve Direkte Ruse, kompanisë së saj administruese dhe shefit të tij ekzekutiv, Kirill Dmitriev, të cilin Uashingtoni e akuzoi se ishte aleat i afërt i presidentit rus. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kishin njoftuar të shtunën se do të merrnin masa kundër bankës qendrore të Rusisë dhe do të bllokonin disa nga bankat e vendit nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT./ VOA
Lajmi kryesor: