Udhëtimi, parajsa tjetër
e Monika Lubonjës

Udhëtimi, parajsa tjetër <br />e Monika Lubonjës
Kush e ka provuar atë ndjesinë e paqtë që të jep një udhëtim larg rrëmujës dhe miletit? Kush ka pritur me padurim fundjavën për tiu gëzuar bukurisë sënatyrës dhe relaksit shpirtëror? Nuk besoj të ketë një njeri që të mos e shijojë të paktën një udhëtim në jetën e tij. Por nga ana tjetër ka nga ata njerëz që adhurojnë atë gjendje që sjell një udhëtim, dhe për cdo herë e përjetojnë si një aventurë si një adrenalinë dhe si njëëndërr që duhet të vazhdojë në kohë. Monika Lubonja, aktorja dhe producentja që nuk humbet asnjë shans që i jepet për të udhëtuar, është njëra syresh. Sapo gjendet përballë një kohe të lirë, sidomos pas një periudhe
të gjatë pune, nuk ia përton të “nxisë” një grup udhëtimi… Ftesa mund të jetë edhe virtuale sic bëhet rëndom komunikimi shoqëror në rrjetet si facebook, por sapo grupi formohet, sapo miqtë mblidhen fillon aventura së bashku me atë gjendje që vetëm ata që e kanë provuar ia dinë vlerën. Dhe vetëm ata që ia dinë vlerën, dinë edhe ta rrëfejnë në rubrikën më të re të “Fundjava”, “Njerëz në udhëtim”.

Para disa ditësh i bëre një ftesë virtuale miqve për të udhëtuar.. po bëheni gati për një fundjavë ndryshe?
Në këto ditë të ftohta me shi dhe pak të mërzitshme...nuk e di pse por duke hedhur vështrimin përtej dritares...më doli nga mendja ky udhëtim i papritur e spontan. Ndoshta mërzia që të kap pas festave të fundvitit...ndoshta gjendja gri që ka pushtuar gjithçka...ndoshta njerëz që i shikon të stresuar...nuk e di po gjithmonë në këto situata vendos të kërkoj të dal diku për të harruar gjithçka që më rrethon. Një ftesë për miqtë e mi është dhe një dritare për ta kaluar bukur një fundjavë e pse jo dhe të hash ato gatime të shishme që ka ajo zone...eee pa më thuaj pak nuk do të kishit dëshirë të hanit një lakror korçar të bërë në saç...po pak turshi pe Korçe ...lëre pastaj oxhaku dhe drurët që kërcasin dhe ti që fillon e të kap një frymëzim i bukur ndoshta edhe për të bërë pak "thashetheme të bukura"...a për ndonjë ide që të kap në ato momente...që më pas i realizon falë atij pushimi dhe relaksi që ti ke marrë… E që t'i përgjigjem pyetjes ftesën e kam bërë për miqtë e mi e kësaj rradhe dua të jem në Dardhë.

E formove grupin për këtë udhëtim të rradhës?
Jam në pritje të të bërit grup...Një mikja ime më tha: "Po ne akoma nuk kemi tretur gjelin ti do të na frysh prapë?! (qesh).

Si kalon një ditë udhëtimi për ty apo me ty?
Të them të drejtën udhëtimet i kam pasur siklet kur isha e vogël dhe me sa më kujtohet edhe deri vonë. Por kur mësova makinën dhe udhëtoja me të dhe stomaku mu rregullua, nuk më zinte më. Dhe jo vetëm kaq, por u dashurova aq shumë me udhëtimet sa kisha dëshirë të isha shpesh me rrugë. Udhëtimi për mua është një emocion në një formë krejt ndryshe. Një adrenalinë e bukur që të përshkon që nga mendimi që ti do të nisesh e deri në detajet e fundit që ti përgatit për udhëtim. Unë kam udhëtuar shumë nga bregu gjatë shfaqjeve që kemi dhënë në turne. Nuk kam për të harruar Vlorën, udhëtimin me Yllka Mujon dhe Elian, Arditën që ishte menaxhere dhe Tean...Di vetëm që kemi qeshur dhe një zot e di si nuk kemi bërë ndonjë aksident...Një nga udhëtimet që nuk kam për ta harruar ishte Festivali i Butrintit...Ne ishim me shfaqjen "Elektra".

Paraditeve shkonim në plazh. Atë ditë mora në makinë Yllka Mujon me Elian dhe vajzwn time, Tea me një shoqen e saj. Po shkonim në Ksamil për të bërë plazh. Tërë kohën bëja luftë me Tean dhe shoqen e saj… eh për idera të ndryshme. Kur në rrugë pashë një shokun tim. I rashë borisë,por ai nuk më pa. Pastaj e parakalova dhe gjithë kohës nuk i hapa rrugën ...sa ai bënte me sinjale, i binte borisë, por unë hiç.., Bëra garë në atë rrugë të ngushtë sa kur ktheva kokën pashë që asnjëra nuk bilbilonte si më parë. Pashë Yllkën ajo ishte futur në sedilje e nuk fliste fore..e vetmja fjalë që më tha ishte: "Aman se kemi vajzat..." Kam qesh me lot se unë po i jepja makinës e kisha marrë një adrenalinë të paparë.Vetëm kur ndaluam Yllka me tha:"O gocë më iku gjaku..." Pastaj atë ditë vazhdova me foto që i bëja Teas dhe të gjithëve me rradhë..

Udhëtimi në grup apo vetëm, cili është më i pëlqyeri për ty? Cfarë shoqe udhëtimi je dhe çfarë tipash janë të përshtatshëm në udhëtime me ty?
Sigurisht që të udhëtosh duhet të kesh dhe shoqërinë që ti pëlqen dhe të jenë një tip pak a shumë. Në përgjithësi dhe miket ose miqtë e mi i zgjedh që të kemi të përbashkët shpirtin, entuziazmin dhe pse jo rreziqet që mund të ketë dhe një udhëtim. Gjithmonë më kanë qëlluar miq që i pëlqejnë shumë udhëtimet, tipa të humorit, natyra të paqme që kur vijnë në një udhëtim i kanë harruar çdo gjë që kanë në shtëpitë e tyre...dhe përshtaten shumë bukur me grupin...

Një udhëtim i veçantë që ka zënë vend në kujtesën tënde?
Mua më pëlqen shumë të udhëtoj me miqtë e mi se kuptohet në një grup të mirë dhe të bukur siç jemi ne vetë, bukur ia kalon. Një udhëtim që më ftuan e nuk kam për ta harruar ka qenë ftesa që më bëri Jona me Edën. Këtë udhëtim e organizoi mikja ime, Jona për në Voskopojë. Nuk kisha qenë më parë atje.Vetëm idea që do të isha me miqtë e mi më të mirë më bëri që të provoja Voskopojën. U nisa bashkë me Tean po të them të drejtën kur arrita në Voskopojë më kapi një ndjesi e çuditshme që as fjalën nuk e gjeja dot. Nata me bardhësinë e bashkuar më sillnin dhe frikën, dhe bukurinë e të qenurit midis këtyre gjërave dhe mendimeve të papritura që më vinin... Nuk flisja fare.

Kur dëgjova Jonën që më thoshte:" Prit, prit se ka akoma"!Dhe sigurisht që kishte gjithçka. Ishte një shtëpi që e kishim pushtuar vetëm grupi ynë...dhe mendo që sa u ulëm e deri sa jemi ngritur nuk e kam kuptuar pse nuk e ndjeva lodhjen . Një mall të paparë pata kur ndieva gatimet e tyre të mrekullueshme...shije që i kisha harruar për shumë kohë. Shikoja ato vajzat që na shërbenin dhe më dukeshin sikur ishin pjestaret e grupit tonë… pastaj vera që, o Zot sa më ka shijuar (të them të drejtën nuk e pi ose e pi shumë shumë rrallë, por si atë natë dimri kurrë nuk më kishte shijuar) dhe mbi të gjitha ai oxhaku dhe ai zjarri bubulak… Sa më ngrohte ajo kërcitja e drunjve që më jepnin një melodi aq të bukur në vesh dhe era e tymit të drurit më kënaqte pa fund...Ah, di që atë ditë kam ngrënë sa për të gjithë bashkë...Vrapoja pak ose kërceja që të hapej një vend në stomak për të filluar prapë nga e para (qesh)

Të nesërmen ekskursioni që na kishin organizuar ishte adrenalinë e paparë për mua...Ecja e lumturohesha që shikoja atë pafundësi të madhe dëbore. U ktheva në një fëmi që doja ta shkelja pafund atë bardhësi dëbore ..ecja në dëborë më bënte shumë të lumtur e të çliruar aq shumë sa kur pashë një derë të zezë me kangjella mu duk sikur po më priste rrugën, mu duk sikur më prenë hovin..."Stop" më tha dera s' ke ku shkon më..Dhe unë që i them mikes sime:"Më mirë tani më lidh tek ajo derë se ndryshe nuk do të kem kthim...eh, udhëtimi i Voskopojës për shumë kohë më ka lënë shijen e një nga udhëtimeve më të bukura që kam bërë. Aty ishin të gjitha; shoqëria, vendet turistike shumë të bukura plot me bardhësinë e borës, gatimet, ekskursioni fotot në grup, të qeshurat pa fund...dhe në fund mora dhe trishtimin që ato ditë ikën sa hap e mbyll sytë...Një pjesë të ëndrrës e lashë aty për t'iu kthyer përsëri borës së bardhë, të paprishur që të vazhdoj aty ku e lashë ecjen e gjatë në dëborë....

Thuhet se udhëtimi është një instrument edukimi, një ushqim shpirtëror, burim frymëzimi, përvojë jetese etj. Sipas teje çfarë është udhëtimi?
Udhëtimi është sport i trurit dhe i mendjes, është çlirim, është rrëfim, është adrenalinë, është një moment i bukur që rri me miqtë e tu e ti i dëgjon e të dëgjojnë jashtë atyre halleve dhe streseve që kemi...Ti në udhëtim njeh dhe me shumë se ç'kërkon nga vetja. largohesh nga shtypja e përditshme që të bëjnë me biseda, nga shtypja e televizioneve që të enjtin kokën me politikë, me hipokrizinë që vënë në fytyrë kur dalin në ekran...i harron të gjitha. Ti shikon që miqtë e tu buzëqeshin bukur, ti shikon që këndojnë bukur, që mendojnë bukur dhe këtë ta jep vetëm udhëtimi dhe natyra që të çliron...Më lër tani se do të filloj romanin e parë dhe pak kohë ...do shkoj në Dardhë pranë oxhakut dhe në krah do të kem lakror të gatuar në saç dhe dhallë… Afër tyre do të rri duke përfunduar romanin që më nxite ti mikesha ime për ta shkruar...do shpërthej si shkrimtare. (qesh).

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren