Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado ka shprehur bindjen se mbetjet e regjimit kriminal të Venezuelës do të shpërbëhen përfundimisht dhe do të kishte një tranzicion të rregullt drejt zgjedhjeve të lira.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se rruga përpara do të ishte e vështirë dhe komplekse.

Machado foli me gazetarët një ditë pasi u takua me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku i dorëzoi atij medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen, ndërsa përpiqej ta bindte atë që t'i jepte opozitës një rol në përcaktimin e së ardhmes së Venezuelës, pasi SHBA-të rrëzuan Nicolas Maduro.

Trump ka deklaruar se është shumë i kënaqur me mënyrën se si po ecën puna e tij me presidenten e re Delcy Rodríguez dhe, ndonëse dëshiron që herët a vonë të mbahen zgjedhje në Karakas, nuk ka një afat të caktuar në mendje për tranzicionin drejt demokracisë.

Ajo që i intereson është stabiliteti i vendit, fundi i narkotrafikut dhe i emigracionit të paligjshëm, dhe mbi të gjitha qasja në naftë dhe burime të tjera natyrore. 

Nicolas Maduro ndodhet në një burg amerikan pasi ishte transportuar në Nju Jork pas kapjes së tij nga forcat amerikane më 3 janar.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor. Maduro akuzohet se ka mbikëqyrur një rrjet të trafikut të kokainës që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelin Sinaloa dhe Zetas të Meksikës, rebelët e FARC-ut të Kolumbisë dhe bandën venezuelase Tren de Aragua.

Ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ato janë mbulesë për “synimet imperialiste” ndaj rezervave të naftës të Venezuelës.

SHBA-ja e ka konsideruar Maduron udhëheqës jolegjitim të Venezuelës që nga koha kur ai shpalli fitoren në zgjedhjet e vitit 2018, të cilat u shoqëruan me akuza për parregullsi të mëdha.