Udhëheqja në Karabak pranon propozimin rus për armëpushim

Udhëheqja në Karabak pranon propozimin rus për armëpushim

Nagorno-Karabak

Përderisa ofensiva e Azerbajxhanit hyri në ditën e dytë, informacionet nga selia e autoriteteve de facto të armenëve etnikë në këtë rajon thanë se kanë pranuar një propozim nga misioni paqeruajtës rus për një marrëveshje armëpushimi

Është e paqartë nëse kjo lëvizje do ta kënaqë Bakun, përderisa numri i viktimave është rritur në përshkallëzimin më vdekjeprurës ushtarak në këtë rajon në tre vjetët e fundit.

Koncesioni erdhi disa orë pasi Azerbajxhani sinjalizoi synimin e tij që të vazhdojë operacionet ushtarake të nisura një ditë më herët në Nagorno-Karabak, pavarësisht thirrjeve që të ndalë armiqësitë që deri më tani kanë lënë disa të vdekur në rajonin e shkëputur, ku banojnë kryesisht armenë etnikë. Thirrje për ndalje të armiqësive janë bërë nga Kombet e Bashkuara, fuqitë perëndimore dhe Rusia.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha mëngjesin e 20 shtatorit se po vazhdonte “me sukses” atë që e ka cilësuar si “operacion kundër terrorizmit”, duke shënjestruar sabotuesit.

Zyra e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, lëshoi një deklaratë në të cilën thuhej se ai i ka thënë sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se “masat kundër terrorizmit do të ndalen nëse [forcat në Karabak] ulin armët”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 21 shtator do të mbajë një mbledhje urgjente, pasi komuniteti ndërkombëtar po kërkon mënyra për të shmangur një intensifikim të konfliktit të gjatë. Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e rajonit të shkëputur, me luftën e fundit që u zhvillua para tre vjetësh.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkon që menjëherë të ndalen luftimet, të shtensionohet situata dhe të ketë respektim të rreptë të armëpushimit të arritur më 2020, si dhe të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB-së.

Në orët e vona të 19 shtatorit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar biseda telefonike me liderët e të dyja shteteve.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinken i bëri thirrje presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, që t’i ndalë menjëherë operacionet ushtarake në Nagorno-Karabak, rajon që ndërkombëtarisht njihet si territor i Azerbajxhanit.

Kryediplomati amerikan kërkoi, po ashtu, që Azerbajxhani t’i kthehet dialogut.

Blinken “vuri në dukje gatishmërinë e shprehur nga Aliyev që t’i ndalë veprimet ushtarake, si dhe për një takim ndërmjet përfaqësuesve të Azerbajxhanit me popullatën e Nagorno-Karabakut dhe ai nënvizoi nevojën për një zbatim të menjëhershëm” të këtyre planeve, tha DASH-i.

Ndërkaq, Blinken i tha kryeministrit armen, Nikol Pashinian, se SHBA-ja “mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Armenisë”.

Moska, po ashtu, u bëri thirrje të dyja palëve që ta ndalin dhunën.

“Për shkak të përshkallëzimit të shpejtë të përleshjeve të armatosura në Nagorno-Karabak, ne u bëjmë thirrje palëve në konflikt që menjëherë ta ndalin gjakderdhjen, t’i ndalin armiqësitë dhe të shmangin shkaktimin e viktimave në mesin e civilëve”, tha Ministria e Jashtme ruse, sipas agjencisë TASS.

Në deklaratën e Ministrisë ruse u shtua se paqeruajtësit rusë po e ndihmojnë popullatën civile në Nagorno-Karabak. Në këtë rajon, jetojnë pothuajse 120.000 armenë etnikë. Rusia tha se po u ofron civilëve ndihmë shëndetësore dhe ndihmë për evakuim.

Pas disa javësh përleshjesh të përgjakshme dhe një ditë pasi dërgesa e parë me ndihmë humanitare u lejua të hyjë në zonë, Azerbajxhani nisi përshkallëzimin e madh më 19 shtator në rajonin e shkëputur që veçse është buzë krizës humanitare.

Kjo pasi në këtë rajon për nëntë muaj ka pasur bllokim të rrugës, që ka pamundësuar që të dërgohen ndihma humanitare, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bakuja që të lejohen dërgesat e ushqimit dhe të ndihmës tjetër.

Granatimet nisën pak pasi Bakuja fajësoi për dy shpërthime ata që i cilësoi si “grupe armene të sabotatorëve”. Nga shpërthimet u vranë të paktën katër pjesëtarë të personelit ushtarak dhe dy civilë në zonat e Nagorno-Karabakut që janë nën kontrollin e paqeruajtësve rusë.

Paqeruajtësit rusë gjenden në atë zonë që kur u arrit marrëveshja e armëpushimit që u dha fund luftimeve gjashtëjavore më 2020. Azerbajxhani atëbotë rimori shumicën e territorit dhe shtatë qarqe përreth që ishin nën kontrollin e armenëve etnikë – të mbështetur nga Jerevani – që nga vitet ’90.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se synon që grupet të dorëzohen dhe trupat armene të tërhiqen nga rajoni.

Jerevani është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk ka trupa në Nagorno-Karabak.

Franca ka thirrur mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të adresuar krizën që shpërtheu në kohën kur shumë liderë botërorë janë mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku pushtimi rus i Ukrainës është një prej pikave kyçe të fjalimeve dhe debateve.

Ministrja e Jashtme franceze, Chatherine Colonnna, e cilësoi operacionin e fundit të Bakusë si “të paligjshëm, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm”.

“Dua të theksoj se ne e mbajmë përgjegjës Azerbajxhanin për fatin e armenëve të Nagorno-Karabakut”, tha ajo.

Shqipëria, që kryeson Këshillin e Sigurimit, tha se mbledhja urgjente do të mbahet më 21 shtator.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se “rikthimi i aktiviteteve ushtarake nuk çon askund. Ato duhet të ndalen”.

Gjatë ditës së parë të operacionit “janë shkatërruar vetëm caqe legjitime ushtarake”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.Ndërkaq Ministria e Jashtme azerbajxhanase tha se paqja në rajon mund të arrihet vetëm me tërheqjen e tërësishme të forcave armene nga territori.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit pretendoi se ka marrë nën kontroll mbi 60 pozicione ushtarake dhe ka shkatërruar 20 makina ushtarake.

Avokati de facto i të drejtave të njeriut në rajonin azerbajxhanas të kontrolluar nga armenët, tha se 32 persona janë vrarë, përfshirë shtatë civilë, dy prej tyre fëmijë, dhe mbi 200 janë plagosur gjatë bombardimeve. Disa vlerësime kanë thënë se numri i viktimave është shumë më i lartë.Armenët etnikë brenda Nagorno-Karabakut publikuan në rrjetet sociale video dhe thanë se kryeqyteti de facto i rajonit, Stepanakert, ishte nën bombardime. Ende nuk ka detaje për dëmet apo viktimat atje.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se nuk ka forca në Nagorno-Karabak, duke shtuar se ofensiva e Bakusë “shkeli marrëveshjen e armëpushimit përgjatë të gjithë vijës së kontaktit, duke sulmuar me raketa të artilerisë”.

Pashinian tha se po shikon kah Moska, e cila udhëheqë një aleancë ushtarake të sigurisë në të cilën bën pjesë Armenia, dhe kah komuniteti ndërkombëtar që të ndihmojnë në ndaljen e sulmeve të Bakusë.

“Pikë së pari, Rusia duhet të ndërmarrë hapa dhe së dyti ne presim hapa edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Pashinian gjatë një deklarimi televiziv.

Në mbrëmjen e së martës, turma të zemëruara u mblodhën jashtë ndërtesës së Qeverisë në Jerevan, duke bërë thirrje që Pashinian të japë dorëheqje. Ata u përleshën me policinë.

Protestuesit thanë se janë zemëruar me atë që e cilësuan si dështim të Moskës për ta ndalur Azerbajxhanin. Protestues u mblodhën edhe para ndërtesës së Ambasadës ruse në Jerevan, duke brohoritur slogane antiruse, raportoi TASS.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi operacionin dhe i bëri thirrje Azerbajxhanit t’i ndalë aktivitetet ushtarake në Nagorno-Karabak. Ai tha se Brukseli vazhdon të jetë i përkushtuar në ndërmjetësimin e dialogut, në mënyrë që të arrihet paqja në rajon.

Liderët e SHBA-së dhe ata evropianë qe një kohë të gjatë i bëjnë thirrje Azerbajxhanit që të lehtësojë kalimin transit të ndihmës humanitare për në rajonin e shkëputur, pasi ky rajon po përballet me mungesë të ushqimeve, energjisë dhe ilaçeve.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun, një rajon malor i banuar me shumicë armene, që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.Marrëveshja e armëpushimit që u nënshkrua në fund të konflikt të vitit 2020, u cilësua si fitore në Azerbajxhan, por humbjet armene nxitën protesta disamujore në Jerevan, ku u kërkua dorëheqja e Pashinianit.

Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet e afërta kanë qenë nën kontrollin e armenëve etnikë që kur nisi lufta në fund të viteve ’80 – kur Bashkimi Sovjetik nisi të kolapsojë – dhe i hapi rrugë “konfliktit të ngrirë” prej tri dekadash./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare