Ndeshja e hapjes së kampionatit shqiptar midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, e cila përfundoi 3-1 në favor të korçarëve, dyshohet të jetë trukuar. Sinjali I fortë për këtë vjen nga institucioni I futbollit europian- UEFA e cila e ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë çështje. UEFA ka marrë sinjalizimet e duhura nga kompanitë e basteve për vënien e shumave të mëdha të parave për këtë ndeshje duke u konsideruar si e dyshimtë.

Ndërsa Federata jonë ditët e fundit ka sinjalizuar edhe dy klubet përkatëse por ende nuk dihet nëse do nisë ndonjë hetim apo jo. Një çështje e tillë është bërë publike dy ditët e fundit edhe në media dhe tashmë pritet se çfarë do ndodhë. Vllaznia nuk është hera e parë që përflitet për të tilla gjëra sepse edhe në sezonin e kaluar u bë shumë zhurmë për ndeshjen e saj me Kastriotin por në fund nuk doli asgjë.

Për trajnerin e Vllaznisë Shpëtim Duro, i cili e konsideron atë humbje me Skënderbeun si pengun më të madh të punës së tij tremujore në krye të kësaj skuadre, gjëra të tilla nuk janë aspak serioze teksa vetëm hidhen dyshime dhe nuk vërtetohet asgjë. Megjithatë, ndër të tjera, ai ka shprehur besimin e tij të plotë tek ndershmëria e futbollistëve që drejton. Futbolli shqiptar kësisoj bëhet edhe një herë tjetër protagonist i zhurmës për trukimin e ndeshjeve teksa dashja pa dashje në të është përfshirë edhe Vllaznia megjithëse ende nuk ka asnjë ndeshje ku të vërtetohet fajësia e drejtuesve apo e futbollistëve të saj.

(d.b/shqiptarja.com)