TIRANE- Menaxhimi i burimeve ujore ndërkufitare në mënyrë të barabartë, pritet që të jetë qëllimi kryesor i projektligjit të Ministrisë së Jashtme që pritet të diskutohet në Kuvend. Bëhet fjalë për aderimin e Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 e 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare”. Detyrat bazë të palëve ndaj konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare” lidhen me kontrollin dhe reduktimin e ndikimeve ndërkufitare, përdorimin e ujërave ndërkufitare në mënyrë të barabartë e të arsyeshme si dhe sigurimin e menaxhimit të qëndrueshëm.

Palët që ndajnë të njëjtat burime ujore, duhet të hyjnë në marrëveshje për menaxhimin e përbashkët të tyre. Sipas relacionit të Ministrisë së Jashtme, aderimi në këtë konventë dhe përkatësisht në ndryshimet e neneve 25-26 të kësaj konvente, konsiston në lehtësimin e bashkëpunimit ndërkufitar, reduktimin e pasigurive si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë në basenet e përbashkëta; reduktimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në kontekstin ndërkufitar nëpërmjet menaxhimit të përbashkët të burimeve ujore; dhënien e kontributit në marrëdhëniet ndërkombëtare nëpërmjet zhvillimit të planeve të efektshme për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, strategjive kombëtare apo rajonale, planeve dhe programeve për menaxhimin e ujërave nëntokësore; krijimin e kuadrit institucional për arritjen e marrëveshjeve për menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare”, thuhet në relacion.

Kjo pritet të vihet në qendër të diskutimeve në Komisionin e Jashtëm pikërisht pas debateve të shumta dhe protestave që janë bërë nga banorët e Dibrës në lidhje me lumin Radika, në të cilin pretendohet të ndërhyet nga pala maqedonase për ngritjen e një hidrocentrali. Ky shqetësim u ngrit nga deputetët e LSI-së në Kuvend, që zhvilluan edhe një interpelancë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai tha se çështja e lumit Radika është e zgjidhur sipas marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e ujërave ndërkufitarë. Ndërkohë që kjo konventë synon forcimin e masave për mbrojtjen dhe menaxhimin ekologjik, cilësor e sasior të ujërave ndërkufitare, sipërfaqësore e nëntokësore. Ar.Ho

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)