Ndërsa furnizimi i pandërprerë me ujë vijon të mbetet një problem në shumicën e vendit, mbi 60 përqind, trajtohet si mall pa zot dhe nuk paguhet. Të dhënat e Entit Rregullator të Ujit, tregojnë se vetëm 19 bashki kanë ujë pa ndërprerje, ndërsa në 8 të tjera, furnizimi luhatet nga 4 deri 8 orë në ditë.  Tirana nuk ka asnjë përmirësim prej 2021-shit.

Pavarësisht investimeve të kryera në rrjetet e ujësjellësve Shqipëria ka mesatarisht pak më shumë se 17 orë furnizim me ujë në ditë.

Situata është problematike në bashkinë e Kamzës e Shijak  ku banorët kanë vetëm 4 orë ujë në ditë, ndjekur nga Kavaja me 5 orë, Kruja 6 orë, Hasi 7 orë dhe Vora, Roskoveci e Mallakastra me nga 8 orë ujë.

Ndonëse jemi në mesin e vitit 2026, në raportin zyrtar dërguar parlamentit për vitin e kaluar, të dhënat janë vetëm të 2024-ës. Edhe në një përgjigje zyrtare për Report TV, ERRU thotë se nuk ka të dhëna të rifreskuara.

Referuar shifrave të vëna në dispozicion 19 bashki të vendit garantojnë furnizim pa ndërprerje. NJë e treta e tyre ndodhen në zonën e Pogradecit dhe Korçës.

Tirana ka vetëm 17 orë ujë në ditë. Kryeqyteti nuk ka njohur asnjë përmirësim, në 4-vjecarin e fundit.

Për të rritur furnizimin dhe cilësinë qeveria ndërmori reformën e ujësjellësve që prej vitit 2022, prej së cilës 43 shoqëritë që ekzistonin do shkriheshin dhe krijohen 15 të reja. ERRU thotë se deri më tani janë krijuar 14 shoqëri rajonale ujësjellës kanalizime, ndërkohë vazhdojnë funksionojnë si Ujësjellës Kanalizime të ndara, Tirana, Vora dhe Kamza.

Pavarësisht këtij riorganizimi, problem vijon të mbetet uji pa të ardhura. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të afro 61% e ujit në vend nuk faturohet. Më konkretisht rreth 184 milionë metër kub ujë nuk faturohet, për shkak të lidhjeve të paligjshme, gabimeve në matje e faturim apo humbjeve në rrjet. Në total uji për të cilin qytetarë e biznese paguajnë tarifë është 118 milionë metër kub.

BASHKITË ME UJË 24 ORË/DITË
Delvinë
Konispol
Himarë
Këlcyrë
Libohovë
Përmet
Pogradec
Përrenjas
Devoll
Kolonjë
Korçë
Pustec
Poliçan
Skrapar
Librazhd
Gramsh
Lezhë
Fushë Arrëz
Pukë

 

BASHKITË ME MË PAK UJË NË DITË
Roskovec/Mallakastër/Vorë   8 orë
Has                                         7 orë
Krujë                                       6 orë
Kavajë                                    5 orë
Shijak/Kamëz                          4 orë