Ukraina, agresioni rus dhe Perëndimi

Ukraina, agresioni rus dhe Perëndimi

Gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) thekson në një koment se me dekada politika gjermane ka besuar se siguri dhe paqe në Europë mund të ketë vetëm me Rusinë, jo kundër Rusisë. Viktimat e fundit të vetëmashtrimit, sipas FAZ, janë presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz. Të dy u pritën në Moskë nga Putini dhe të dytë shefi i Kremlinit i gënjeu në fytyrë. Gazeta thekson se politika e jashtme gjermane duhet të përgjigjet në pyetjen se si mund të ketë siguri e paqe në Europë kundër Rusisë – kundër një Rusie, sundimtari i së cilës i gënjen burrështetasit e tjerë, shkel marrëveshje dhe i pushton vendet fqinje me arsyetime cinike? «Para së gjithash politika e jashtme gjermane nuk duhet të lë përshtypjen në Moskë se është një përzierje naiviteti, utopie, romantizmi të Rusisë dhe komplekseve të fajit».

Në komentin e dytë «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se varet nga reagimi i Perëndimit nëse Putini do të shuajë etjen e tij për territor dhe pushtet. Reagimet e para nga ana e perëndimorëve ishin tepër të ngathëta, kritikon gazeta. Putin po i shfrytëzon dobësitë e kundërshtarëve të tij. Ishte presidenti amerikan që para disa javësh zbuloi publikisht se Perëndimi nuk është unik mbi atë se si do të reagojë nëse Rusia shkakton situata që janë nën pragun e luftës së hapur. Rreziku i luftës nuk është shmangur, nënvizon FAZ.

«Që nga fillimi Putini e ka bërë të qartë se i konsideron europianët si njerëz të klasës së dytë dhe është i interesuar për bisedime me Washingtonin. Perëndimi nuk duhet të lejojë të përçahet. Europa ka një interes thelbësor që ky konflikt të mos përmbyllet sipas kushteve ruse. Europianët janë partneri më i madh tregtar i Rusisë, jo SHBA-të. Është në dorë të tyre se sa i lartë do të jetë çmimi për Putinin», përfundon FAZ.

Në një shkrim nga Moska korrespondenti i FAZ e përshkruan hollësisht takimin e Putinit me bashkëpunëtorët e tij më të rëndësishëm dhe skenat shpesh bizare, ku ata duhet të qëndrojnë gatitu para shefit të Kremlinit si të ishin nxënës filloristë. Para kamerave Putin i shtyri bashkëpunëtorët e tij të pohojnë se e përkrahin pranimin e pavarësisë së rajoneve Donjeck dhe Luhansk, të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare janë pjesë e Ukrainës. Pasi deklaroheshin për planin e Putinit, ata duhej të uleshin në karriget e tyre të shoqëruar me një fjali shpotitëse të Putini: «Mirë, uluni». Dmitrij Kozakut, këshilltarit të Putinit për Ukrainën, iu dridhen lehtë duart derisa tregonte se vendimi për të pranuar «republikat popullore» do të kushtojë «shuma astronomike». Por për këso detajesh Putini as që interesohej, së paku jo në shfaqjen e inskenuar. Për të me rëndësi është koreografia e luftës në një sallë madhështore të Kremlinit.

Në një analizë të fjalimit të Putinit, FAZ shkruan se udhëheqja ruse në konfliktet e viteve të fundit vazhdimisht ka imituar argumentet e Perëndimit. Akuza e «gjenocidit» në Ukrainën lindore i referohet intervenimeve ushtarake perëndimore në luftërat në Jugosllavi në vitet 90-të. Akuza se Ukraina dëshiron të bëhet fuqi nukleare, duket si imitim i përpjekjeve që fuqitë si Irani dhe Koreja e Veriut të pengohen në armatosjen nukleare.

«Süddeutsche Zeitung» prek një aspekt të rëndësishëm të politikës së brendshme ruse. Ndërsa Putini – pa fakte – ndihet i kërcënuar nga Ukraina, shumica e rusëve kanë pritje të tjera: ata duan të kenë një standard më të lartë të jetesës, kujdes të mirë shëndetësor etj. Ukraina nuk është pjesë e shqetësimeve të tyre. Para tri javësh, shkruan «Süddeutsche Zeitung», Putini e priti Valerij Falkovin, i cili është ministër rus i shkencës. Ai i raportoi presidentit se përveç në industrinë bërthamore dhe në atë të armatimit, për njerëz me kualifikime të larta pothuaj nuk ka vende të punës. Akademia Ruse e Shkencave njoftoi se për çdo vit Rusinë e braktisin 70’000 shkencëtarë me kualifikim të lartë, ata shkojnë në SHBA, Europë, kohëve të fundit edhe në Kinë.

Në një koment tjetër të po kësaj gazete theksohet domosdoshmëria e sanksioneve kundër Rusisë. Sanksionet janë dëshmi se ka nisur një epokë e re në sjelljen e Perëndimit ndaj Rusisë. Kush nuk i ka besuar fjalëve të Putinit deri më tani, duhet ta bëjë këtë tani: ky president dëshiron t’ia imponojë Europës një rend të ri. Për këtë ai është i gatshëm të zhvillojë luftë dhe t’i shkaktojë Europës viktima tepër të mëdha. Përfytyrimet e tij mbi madhësinë, nacionalizimin dhe autoritetin dendësohen në një ideologji, e cila këtë kontinent tashmë njëherë e kanë çuar drejt dalldisë së luftës dhe në humnerë. Çfarë nuk e thotë komentuesi i «Süddeutsche Zeitung», por nënkuptohet është kjo: pas Adolf Hitlerit presidenti rus Vladimir Putin brenda një shekulli mund të bëhet politikani që rrezikon në mënyrë ekzistenciale kontinentin.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg