Ukraina: Forcat tona do vazhdojnë qëndresën në Sievierodonetsk

Ukraina: Forcat tona do vazhdojnë qëndresën në Sievierodonetsk

Ukraina tha të martën se forcat e saj po vazhdonin të bënin qëndresë në Sievierodonetsk dhe po përpiqeshin të evakuonin civilët, pasi Rusia shkatërroi urën e fundit në qytetin lindor ku prej disa javësh po zhvillohen disa nga betejat më të përgjakshme të luftës.

Rusia tha se do t'u japë luftëtarëve ukrainas të strehuar në një fabrikë kimike brenda qytetit një shans për t'u dorëzuar të mërkurën në mëngjes. Ukraina thotë se rreth 500 civilë mbeten në fabrikën Azot dhe se ushtria e saj po përpiqet t'i largojë ata në një vend të sigurt.

Luftëtarët duhet të "ndalin rezistencën e tyre të kotë dhe të dorëzojnë armët" deri në orën 8 të mëngjesit me kohën e Moskës, citonte agjencia e lajmeve Interfax kreun e Qendrës së Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë, ​Mikhail Mizintsev.

Civilët do të lejoheshin të largoheshin përmes një "korridori humanitar," tha ai.

Zyrtarët ukrainas thanë të martën se shkatërrimi i urës, bllokonte rrugën e evakuimit për civilët që janë ende në qytetin lindor.

Ushtria e Ukrainës tha se forcat ruse "po përpiqeshin të fitonin një terren në pjesën qendrore të qytetit."

Guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha të hënën në rrjetin Telegram se trupat ruse kontrollojnë rreth 70 për qind të qytetit dhe i kanë larguar forcat ukrainase nga qendra.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se beteja për rajonin e Donbasit “me siguri do të hyjë në historinë ushtarake si një nga betejat më të dhunshme në Evropë”.

“Për ne, çmimi i kësaj beteje është shumë i lartë. Është shumë e frikshme”, tha presidenti Zelenskyy të hënën vonë.

Ai përsëriti thirrjet ndaj vendet partnere që t'i dërgojnë Ukrainës artileri moderne për t'u përdorur kundër forcave ruse.

Këshilltari i presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, shkroi në Twitter të hënën se për t'i dhënë fund luftës Ukraia ka nevojë pëer armë të rënda". Ai renditi disa kategori armësh, duke përfshirë 1,000 topa obus, 300 sisteme raketash, 500 tanke, 2,000 automjete të blinduara dhe 1,000 dronë.

“Takimi i Grupit të Kontaktit të Ministrave të Mbrojtjes mbahet në Bruksel më 15 qershor”, tha këshilltari Podolyak. “Ne presim një vendim”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në selinë e NATO-s. Një takim virtual i grupit muajin e kaluar, mblodhi përfaqësues nga 47 vende.

Sekretari Austin tha pas bisedimeve të muajit maj se grupi po "intensifikonte përpjekjet" dhe po punonte për të thelluar bashkërendimin me Ukrainën "në mënyrë që Ukraina të mund të forcojë operacionet e saj në fushën e betejës".

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të hënën se ditët e fundit beteja rreth Sievierodonetsk "ka vazhduar të bëhet e furishme".

Rusia pretendon se tashmë kontrollon 97 për qind të të provincës Luhansk ku ndodhet Sievierodonetsku. Por pushtimi i qytetit industrial të Sievierodonetskut, me një popullsi prej 100,000 banorësh sa kishte para luftës, mbetet vendimtar për qëllimin më të gjerë të Moskës për të kontrolluar rajonin lindor të Donbasit, i cili përfshin provincat Luhansk dhe Donetsk.

Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe forcat e Kievit që atëherë kanë luftuar me separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit./VOA


Lajmi kryesor:

Lufta në Ukrainë/ Kievi: Rusët po përparojnë drejt Kharkivit! Zelensky kritikon vonesat e Berlinit për armët! Zelensky i kërkon perëndimit sisteme të armëve anti-raketë


E.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS