Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka njoftuar për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën në vlerë prej pothuajse 3 miliardë dollarësh. Ky njoftim u bë në ditën kur Ukraina po shënon përvjetorin e 31-të të pavarësisë dhe njëherësh edhe gjashtëmujorin e pushtimit të nisur nga Rusia.
“Jam krenar të njoftoj për ndihmën tonë më të madhe të sigurisë deri më tani: pothuajse 2.98 miliardë dollarë armë dhe pajisje ushtarake do të jepen përmes Nismës për Ndihmën e Sigurisë për Ukrainën”, tha Biden përmes një deklarate.
“Kjo paketë e ndihmës do t’i mundësojë Ukrainës të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme artilerish dhe municionesh, dronë dhe radarë për t’u siguruar se mund të vazhdojë ta mbrojë veten në terma afatgjatë”, shtoi Biden.
Fondet mund të përdoren për kostot e menjëhershme të luftës, përfshirë edhe blerjen e furnizimeve dhe armëve. Kjo paketë e ndihmës është e ndarë nga Autoriteti i Tërheqjes Presidenciale, mekanizëm që i ka lejuar Bidenit të urdhërojë transferimin e armëve dhe municioneve për forcat ukrainase nga depotë ushtarake amerikane.
Të premten, Pentagoni njoftoi për paketën e re nga Autoriteti i Tërheqjes Presidenciale në vlerë prej 775 milionë dollarësh. Në këtë pako të ndihmës u përfshin disa lloje të raketave, artilerisë dhe armëve të tjera dhe municioneve.
Biden lavdëroi rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus, që nisi më 24 shkurt.
“Gjashtë muaj të sulmeve të vazhdueshme vetëm kanë forcuar krenarinë e ukrainasve për veten e tyre, për shtetin e tyre dhe për 31 vjetët e pavarësisë”, tha ai.
“Sot dhe çdo ditë ne qëndrojmë me popullin ukrainas”, shtoi presidenti amerikan.
Në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se shteti i tij do ta luftojë Rusinë “deri në fund”./REL
Lajmi kryesor: