UKRAINE- Përgjaken sërish protestat në Ukrainë. Gjatë ditës së sotme protestuesit janë përleshur me policinë duke i vënë zjarrin gomave e qëlluar me gurë.
 
Policia u detyrua të përdorë gazin lotsjellës dhe ka qëlluar me fishekë manovër në drejtim të protestuesve. Deri më tani 7 protestues dhe 2 policë kanë humbur jetën. Ndërkohë 37 policë dhe rreth 150 protestues kanë mbetur të plagosur.
 
Sipas mediave ruse, dy oficerë policie mbahen peng nga protestuesit.
 
Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se protestuesit po mundohen të marrin sërish kontrollin e Bashkisë së Kievit, të cilën e liruan vetë disa ditë më parë.
 
Orët e fundit ka reaguar dhe Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës e cila urdhëroi protestuesit të lironin menjëherë një godinë të ministrisë, pranë parlamentit.
 
Ndërkohë Shërbimi i Sigurisë dhe Ministria e Brendshme dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp ku u dhanë kohë protestuesve të ndalonin trazirat në vend deri në orën 6 të pasdites me orën lokale, në të kundërt forcat e rendit do të merrnin masat e nevojshme për të rivendosur rendin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)