KIEV - Ukraina njoftoi për rihapjen sot të aeroportit të Dnipropetrovskut dhe Karkovës, dy qytete të mëdha në lindjen separatiste proruse, ku fluturimet ishin ndërprerë që prej të shtunës për arsye sigurie.
"Aeroporti ndërkombëtar i Dnipropetrovskut rifilloi punën", njoftuan sot autoritetet e këtij aeroporti në një komunikatë. I njëjti informacion u komunikua edhe nga aeroporti i Karkovës.
"Në të kundërt, ai i Zaporizhias (jug), që ndodhet gjithashtu pranë territoreve që janë nën kontrollin e rebelëve, do të qëndrojë i mbyllur deri të shtunën e ardhshme", sipas shërbimeve të aviacionit civil ukrainas.
Ndërkohë që aeroporti i Luganskut është shkatërruar krejtësisht nga luftimet dhe ai i Donetskut mbetet një nga pikat e nxehta të luftimeve mes forcave ukrainase dhe separatistëve prorusë, që zgjasin prej disa muajve./ATSH/








