UKRAINË - 4.2 milionë banorë të Republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhansk-ut po votojnë sot për presidentët dhe parlamentarët e tyre. Votimi ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe pritet të përfundojë në 20:00 me orën lokale të Ukrainës.

Shumica e banorëve treguan mbështetjen e tyre me shpresën për zgjedhje të qeta që do t’i jepnin fund konfrontimit ushtarak në zonën lindore. Megjithatë, shumë prej tyre janë të shqetësuar se kjo mund të nxisë tensione mes qeverisë ukrainase dhe grupeve të armatosura.

Për të tërhequr votuesit, grupet rebelë kanë siguruar transportin deri në qendrat e votimit si dhe ushqim falas. Zgjedhjet e sotme janë cilësuar nga perëndimi si ‘të paligjshme’ dhe me shumë gjasa do të nxisin tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë.

Presidenti Petro Poroshenko tha se Ukraina nuk do t’i njohë këto zgjedhje, ndërsa Rusia ka dhënë mbështetjen e saj ditë më parë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)