KARMELAVA  - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dënoi sot në Lituani lëvizjen e trupave dhe materialeve ushtarake ruse drejt Ukrainës dhe gjithashtu një lëvizje të forcave në Ukrainë, drejt linjës së armëpushimit.
"Nuk do të hyj në detaje për sa i përket shifrave, por mund të them se ne kemi parë një përforcim ushtarak. Ne kemi parë trupa, materiale, tanke, artileri dhe sisteme antiajrore moderne që hyjnë në Ukrainë", tha Stoltenberg në qendrën ajrore të kontrollit të Karmelavas (Lituani).
"Ne kemi parë gjithashtu lëvizje të trupave drejt zonës që mendohej të ishte ajo ku do të mbështetej armëpushimi që hyri në fuqi më 5 shtator", shtoi kryetari i Aleancës së Atlantikut.
"Kemi parë edhe lëvizje të trupave drejt perëndimit në Ukrainën lindore. Është shumë serioze, pasi kjo thyen krejtësisht marrëveshjet e Minskut, kjo ushqen konfliktin dhe kontribuon në shkelje të reja të armëpushimit", vazhdoi ai.
"Për këtë arsye i kërkojmë Rusisë të tërheqë trupat e saj, t'i tërheqë si nga Ukraina lindore gjithashtu edhe nga kufiri, çka do të jetë një kontribut i rëndësishëm i uljes së tensionit në këtë konflikt", përfundoi Stoltenberg.
Ukraina akuzoi sot Rusinë se ka kryer goditje me artileri kundër territoreve ukrainase, ditën e përvjetorit të kontestimit popullor në Kiev që rezultoi në një përkujtim të turbulluar në prani të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden./ATSH/