E rrahën, e kërcënuan me vdekje dhe i shkatërruan lokalin para syve të policisë. Kështu përfundoi debati mes pronarit të një lokali në Trento të Italisë me tre vëllezër shqiptarë mëngjesin e 9 tetorit të vitit 2022. Mbi 3 vjet më vonë, ata kanë dalë para gjyqit ku përballen  me akuzat për plagosje, kërcënim dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Ngjarja, sipas mediave italiane, ndodhi në Gardolo, pranë Trentos. Gjithçka nisi kur pronari i bar “Milena” konstatoi se nuk kishte energji elektrike në lokal dhe shkoi të kontrollonte sahatin në pallat.

Sapo iu hap dera, një nga vëllezërit e sulmoi menjëherë, duke e akuzuar për muzikën e lartë që vinte nga bari. Pronari i thotë se lokali mbyllet në orën 20:00, por kjo nuk e ndali shqiptarin.

Ai e goditi me kokë dhe e rrëzoi italianin në tokë. I plagosuri arriti të futet në lokal dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërrijnë karabinierët.

Por situata doli totalisht jashtë kontrollit. Dy vëllezërit e tjerë erdhën në lokal dhe nisën të shkatërrojnë gjithçka: tavolina dhe karrige u hodhën drejt xhamit të lokalit, duke e thyer atë, ndërsa brenda u dëmtuan sende të shumta.

As policia nuk i ndali dot menjëherë. Një karabinier mbeti i plagosur, ndërsa një tjetri iu këput kablli i pajisjes taser gjatë përplasjes.

Në fund, tre vëllezërit shqiptarë, banues në Trento, u arrestuan dhe sot përballen me akuzat për plagosje, kërcënim dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Pronari i lokalit përfundoi në spital me traumë në kokë dhe dëmtime të shumta në trup, me një raport mjekësor prej 10 ditësh.

Në seancën e fundit më 8 prill, avokati i tij kërkoi 70 mijë euro dëmshpërblim për dëmet materiale dhe shëndetësore. Seanca është shtyrë për një vlerësim më të detajuar.