TIRANË- Rënia e lindshmërisë si pasojë e efekteve të pandemisë COVID-19, plakja e popullsisë si dhe numri i lartë i emigrantëve, ka ulur numrin e popullsisë së vendit me 36.149 banorë në 2021 në raport me vitin paraardhës.

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021”, thuhet në raportin më të fundit të INSTAT.

Ndikuar edhe prej fataliteteve të shkaktuara nga virusi COVID-19, për herë të parë që prej vitit 1991 shtesa natyrore ka qenë negative në vitin 2021, pra ka pasur 3.296 vdekje më shumë sesa lindje.

Në vitin e kaluar numri i vdekjeve është rritur ndërsa lindshmëria ka rënë me 2.8%, që është një nga faktorët për rënien e popullsisë.

“Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2021 ishte 30.580 persona, duke pasur një rritje prej 10,8 %, krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raport.

Shkaku tjetër është emigracioni i lartë. Për të pasur një jetesë më të mirë 42.048 persona janë larguar nga vendi në 2021, ndërsa në 2020 numri i emigrantëve ishte 23.854 persona.

Të gjithë këto faktorë kanë sjellë rritje të moshës mesatare të popullsisë nga 37,6 vjeç që ishte më 1 janar 2021, në 38,2 vjeç në janar të këtij viti.

Qarku i Tiranës, Durrësit dhe Fierit kanë peshën më të lartë në popullsinë, edhe pse nga 12 qarqet e vendit vjet vetëm Tirana ka pasur rritje të popullsisë me 0.8%. ndërsa Gjirokastra, Berati dhe Dibra kanë pasur rënien më të madhe të popullsisë. Ndërkohë më 1 tetor të këtij viti nis numërimi i popullsisë dhe banesave pas 11 vitesh nga censi i fundit i 2011.