Lajme të mira nga Italia. Numri i viktimave është ulur ndjeshëm në krahasim jo vetëm me ditën e djeshme, por prej datës 15 mars. Autoritetet italiane kanë raportuar se në 24 orët e fundit janë shënuar 260 viktima, 155 më pak se ditën e djeshme.

Por asnjëherë numri i viktimave nuk ishte nën 300 në Itali prej datës 15 mars. Ndërkohë që shqetësim përbëjnë rastet e reja. Sot janë regjistruar 2324 të infektuar. Edhe pse ka një ulje krahasim me ditën e djeshme ku u shënuan 2357, shifra vijon që të jetë e lartë.

Sa i përket numrit të të sëmurëve vijon sërish që të rritet, teksa sot janë regjistruar 1808 persona që e kanë fituar betejën me COVID. Në total numri i viktimave në Itali është 26644, të infektuar 197675 dhe të shëruar 63120.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
Conte: Shkollat hapen në shtator, institucionet do qëndrojnë të mbyllura gjatë verës

Shkollat në Itali do të qëndrojnë të mbyllura gjatë pushimeve verore dhe do të hapen përsëri në shtator, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte. Italia ka qenë nën bllokim më shumë se çdo vend tjetër perëndimor, me epideminë që goditi fort veriun e saj të industrializuar. Ka pasur më shumë se 26 000 vdekje dhe gati 200 000 raste.

“Shkollat janë shumë të rëndësishme për ne dhe do të hapen përsëri në shtator”, i tha kryeministri Giuseppe Conte gazetës ”La Repubblica”. Qeveria mbylli shkollat, universitetet dhe qendrat e kujdesit ditor në të gjithë vendin më 5 mars. Conte ka premtuar të fillojë daljen e Italisë nga bllokimi, pasi masat aktuale të kontrollit të virusit të skadojnë më 3 maj.