Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Borxhit pranë dikasterit në fjalë jep si gjashtëmujor kuotën 871.9 miliardë lekë borxhe publike të Shqipërisë më 30 qershor. Kjo do të nënkuptonte një raport 60.9 për qind ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, në rast se ky i fundit do të ishte 1.430 miliardë lekë, siç parashikohej nga “Berisha”. Por, kalon në 64.33% për një PBB në masën 1.355 miliardë.
Nga qershori deri në fund të nëntëmujorit kanë kaluar edhe tre muaj, të mbushura me shpenzime tepër, për shkaqe elektorale dhe të ardhura mangut, si pasojë e shkrehjes së administratës fiskale dhe krizës. Duke u nisur nga kjo, ish-ministri Bode foli dy ditë më parë për një borxh publik sa 63 për qind e PBB-së, ndërkohë që një javë më parë kreu i ri i Financave Shkëlqim Cani e ka “ngritur stekën” në 70 për qind që tani.
Megjithatë, shifrat do të fryhen pa masë sikur në këtë borxh të përfshihet – dhe duhet patjetër të përfshihet, pasi është hequr pa të drejtë – mali i detyrimeve ndaj biznesit, që llogaritet deri në 600 milionë dollarë apo 400 milionë euro. Angazhimi i qeverisë Rama për të shlyer këto detyrime, si një rrugë e vetme e mundshme për të rigjallëruar ekonominë e vendit, tashmë në ngërç, do të sjellë padyshim rritjen e borxhit. Por në këtë rast do të kemi shifrën reale të borxhit.
Në buxhetin e rishikuar, qeveria socialiste ka vendosur ta rrisë huamarrjen për vitin 2013 me mbi 22 miliardë lekë plus asaj që ishte miratuar më parë nga mazhoranca e djathtë më 2012. Kjo i shton borxhit publik të vendit edhe 1.8 për qindje plus në raport me Prodhimin Bruto të vendit.
Detyrimet e prapambetura që shteti ka ndaj privatëve e rritin borxhin publik edhe me 4%, duke shkuar në 73% të PBB-së. Në 2007 ishte vetëm 53%, shifër që pranohet nga të dy palët.
Faturat
Në buxhetin e rishikuar, qeveria socialiste ka vendosur ta rrisë huamarrjen me mbi 22 miliardë lekë këtë vit plus asaj që ishte miratuar më parë nga mazhoranca e djathtë më 2012. Kjo është e barabartë me 1.8 për qind në raport me Prodhimin Bruto të vendit
FMN: Borxhi publik mbi 70%, të ulet në 2015-ën
Më 27 shtator, shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi, tha në Tiranë se situata ekonomike në vend paraqitet e dobët, me borxhin publik mbi 70%. Shefi i FMN pranoi se, në këtë situatë, "nuk ka hapësirë për ulje taksash". “Ka një balancë për të gjetur masën e duhur të korrektimit fiskal, pa e shtrënguar ekonominë. Vitin e ardhshëm dhe më 2015 kjo do të jetë sa 1.5% e PBB. Vitin tjetër do ketë rritje të borxhit. Synimi: Më 2015 borxhi duhet të shënojë ulje".
Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)