Partia Demokratike përmes zdhënëses së saj Ina Zhupa ka vijuar akuzat ndaj qeverisë,në lidhje me projektin e ndërtimit të Unazës së Re duke thënë se ai është një projekt i paligjshëm. Teksa e konsideron projektin një aferë korruptive të paligjshme, Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa, deklaroi që kompania përfituese s Biba X, e 18 milionë eurove nga Projekti i Unazës së Re është vënë sërish nën sekuestro nga Përmbarimi. Sipas Zhupës, kjo kompani është fantazëm dhe duhet të paguajë detyrimet që i ka shtetit .
Historia e sekuestros për kompaninë Biba X, që ka marrë tenderin korruptiv të Unazës së Re, bashkë me një kompani fantazëm, pa pronarë të identifikuar, është përsëritur. Për ironi, kompania që, bashkë me Inspektoriatin e Ndërtimit, shemb godina tek sheshi “Shqiponja”, është nën sekuestro nga vetë IKMT-ja.
Dokumenti që po publikojmë sot mban datën 14 Nëntor dhe tregon se Përmbarimi ka vendosur në sekuestro me ekzekutim të detyrueshëm të gjitha asetet e kompanisë Biba X; konkretisht në kuotat ligjore të kompanisë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, kantiere aktive të ndërtimit, llogari bankare etj. Situata është sa absurde, aq edhe jo ligjore. Një kompani që ka çdo pasuri nën sekuestro dhe pasuritë e saj mund të dalin në ankand, nuk mund të kryejë punë publike. Në vend që të përfitojë 18 milionë euro nga buxheti I shtetit, kompania e paracaktuar nga Edi Rama për aferën korruptive të Unazës së Re, duhet të paguajë detyrimet që i ka shtetit, në këtë rast Inspektoriatit të Ndërtimit, me të cilin po prish godinat.
Ina Zhupa, Zëdhënësja e Partisë Demokratike
Dokumenti i publikuar nga zëdhënësja e PD, Ina Zhupa
Kujtojmë që banorët e zonës së Astirit, banesat e të cilëve preken nga projekti i "Unazës së Re" prej afro një muaji po protestojnë duke kundërshtuar projektin e ndërmarrë nga qeveria. Ndërkohë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka filluar prej disa ditësh shembjet e objekteve të ndërtuara pa leje. për t'i hapur rrugë ndërtimit të "Unazës së Madhe" të Tiranës.