Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratës së bërë nga kryeministri, Edi Rama, i cili i konsideroi gjykatat “gagarele”, ndërsa paralajmëroi tundje të themeleve të drejtësisë nga reforma që pritet të miratohet në vjeshtë. Unioni e përshëndet këtë nismë të ndërmarrë nga politika për reformimin e sistemit të drejtësisë, por distancohet nga deklaratat anetemuese.

Sipas unionit të gjyqtarëve kjo gjë nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend.

“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë distancohet me forcë nga çdo fenomen antiligjor dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të veprojnë fuqimisht dhe të ndërmarrin veprimet e duhura, në respekt të parimeve themelore të një procesi të drejtë penal, ndaj çdo fenomeni korruptiv, të konstatuar në çdo nivel të sistemit gjyqësor. Me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, thuhet në reagimin e unionit.

Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, Rama deklaroi: “Do ta tundim gjyqësorin në vjeshtë. Do ta harroni aksionin për hajdutët e energjisë, me atë që do t’i bëjmë gjyqtarëve në vjeshte. Ata maskarenj që kanë përdorur togën e zezë për t’u bërë palë me krimin dhe do e shohin se çfarë i prêt”.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)