Universitetet, më 18 shtator fituesit
Udhëzimi: Si do bëhen regjistrimet

Universitetet, më 18 shtator fituesit<br />Udhëzimi: Si do bëhen regjistrimet
TIRANE - Në fletoren zyrtare të një dite më parë është publikuar udhëzimi i plotë që detajon të gjitha procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë në mënyrë që të mos iu digjet shkolla e lartë. Ashtu si edhe një vit më parë regjistrimi do kryhet online dhe në rast se kandidati i shpallur fitues, nuk regjsitrohet brenda afateve, për çfarëdo lloj arsyeje, atëherë atij i humbet përfundimisht e drejta për këtë vit akademik. Sipas udhëzimit të rinjtë do të mund ta mësojnë fakultetin ku janë shpallur fitues vetëm më 18 shtator, pas përfundimit të konkurseve të pranimit në disa degë të veçanta.

UDHËZIMI

Sipas udhëzimit për procedurat e pranimit të kandidatëve, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2013-2014, AKP do të dërgojë në MASH brenda datës 18 shtator 2013, listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A2.

Listat paraprake të kandidatëve fitues shpallen në faqen zyrtare të MASH dhe AKP-së në datë 18 shtator 2013 dhe u dërgohen në formë të shkruar dhe elektronike, Institucioneve publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA-ve, të cilat duhet t’i afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse dhe shkollat e mesme të varësisë.

REGJISTRIMI PARAPRAK

Regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentit të pranuar në universitetet publike do bëhet në dy faza: regjistrimi paraprak dhe ai përfundimtar. Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin paraprak online në programin e studimit ku janë shpallur fitues, në portalin e maturës shtetërore nga data 18-23 shtator 2013 deri në orën 24:00 të mesnatës.

Kandidati fitues ka të drejtë të qëndrojë përfundimisht i regjistruar në programin e fituar në fazën e parë (listat paraprake), duke përzgjedhur opsionin “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Kur kandidati nuk arrin të realizojë regjistrimin online, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues, nga data 18 – 23 shtator 2013, nga ora 08:00- 18:00.

Sekretaria mësimore kryen regjistrimin online të kandidatit. Në këtë rast, kandidati të paraqesë një dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosjen e sekretarisë mësimore mbahet fotokopja e dokumentit të identifikimit. Studentët, të cilët duan të mbeten në preferencën e fituar në fazën e parë, nënshkruajnë një deklaratë në sekretarinë mësimore.

IPAL-et, deri në orën 14:00, të datës 25 shtator 2013, të dorëzojnë në AKP: listën origjinale të fituesve të regjistruar pranë sekretarive mësimore, në formë shkresore dhe elektronike, si edhe kopje të deklaratave origjinale të studentëve. Kandidati, i cili nuk kryen regjistrimin brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo lloj arsyeje, humbet të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Ky kandidat nuk përfshihet në listën përfundimtare të fituesve.

REGJISTRIMI PËRFUNDIMTAR

AKP-ja shpall, në datën 1 tetor 2013, listën përfundimtare të kandidatëve fitues. Lista shpallet edhe në faqen zyrtare elektronike të MASH–it dhe AKP-së. Institucionet publike të arsimit të lartë dhe DAR/ZA shpallin në vende të dukshme listat përfundimtare brenda datës 2 tetor 2013. Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga datat 8-13 tetor 2013, prej orës 08:00-18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues.

Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm: dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit (e panoterizuar); 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh , paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IPAL për katëse. Gjatë kryerjes së procedurës së dorëzimit të dokumentacionit plotësues, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues dhe sekretarisë mësimore.

Institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë pranë AKP më 14 tetor 2013 listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, për çdo program studimi, të ciklit të parë me kohë të plotë. IPAL-et të përpilojnë një raport të hollësishëm në lidhje me regjistrimet e studentëve në afatet dhe formatet e kërkuara.

Rektoratet dhe dekanatet, në datën 14 shtator 2013, të shpallin në mënyrë të qartë dhe në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit online, nga sekretaritë mësimore, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve plotësues, si dhe njoftime të tjera të nevojshme. Këto njoftime të publikohen edhe në median e shkruar elektronike nga institucionet publike të arsimit të lartë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë