Mbi 1500 kandidatë kanë aplikuar për degët teknike të Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini" (UMIB), për 521 vende të lira, kryesisht në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.

Sipas KosovaPress, rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, tha se "për shkak të numrit të madh të kandidatëve, që kanë aplikuar për këto fakultete, kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të lejohet rritja e numrit të studentëve që do të pranohen".

Sipas tij, në afatin e parë kanë konkurruar gjithsej 1560 kandidatë dhe janë pranuar 616 në 6 fakultete dhe 23 programe që janë akredituar, ndërsa në afatin e dytë, vetëm në tri fakultetet teknike, kanë aplikuar mbi 1500 kandidatë".

Rektori Musaj vizitoi njësitë akademike, ku është njoftuar me ecurinë e punës si dhe sfidat me të cilat po përballet Universiteti. Në takim me dekanët, mësimdhënësit dhe punëtorët e administratës, ai tha se "viti i parë i Universitetit ka qenë një periudhë shumë sfiduese, por edhe shumë e suksesshme".
"Po punohet me këmbëngulje që ky universitet të jetë model në Kosovë. Nuk kemi lejuar asnjë mësimdhënës, që të angazhohet pa konkurs dhe nuk kemi pranuar asnjë punëtor të administratës me kontratë", u shpreh Musaj.

Ai foli edhe për investimet që janë bërë gjatë kësaj kohe, duke përmendur rinovimin e dy amfiteatrove dhe rregullimin e 6 kabineteve me hapësirë prej rreth 700 metrave katrorë, si dhe rektoratin me hapësirë prej 800 metrave katrorë.

Musaj shprehu besimin se "edhe objektet e reja të Universitetit që janë duke u ndërtuar do të përfundojnë me kohë, në mënyrë që të krijohen kushte shumë më të mira".
Ai falënderoi punonjësit e administratës për angazhimin dhe punën e mirë, që kanë bërë gjatë kësaj kohe.

Sipas tij, hapja e Fakultetit të Edukimit, Juridikut dhe Ekonomikut, ka bërë që të rritet shumë numri i aplikantëve për në Universitetin e Mitrovicës.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Milaim Sadiku, tha se "gjithçka është përgatitur me kohë për vitin e ri akademik, duke përfshirë edhe oraret për studentët".

Po ashtu, edhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkancave, Naser Peci dhe ai i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Hakif Zeqiri, e njohën rektorin për përgatitjet që kanë bërë dhe problemet që kanë.

ATSH