Universiteti i Prishtinës hetohet për parregullsi me pagat e profesoreve

Universiteti i Prishtinës hetohet për parregullsi me pagat e profesoreve
PRISHTINE - Universiteti i Prishtinës është duke u hetuar me dyshimet për parregullsi të shumta. Njësiti për Krime Ekonomike i Policisë së Kosovës, javë më parë ka marrë në Rektoratin e UP-së, listat e pagave për vitet 2010 e 2011. Mendohet se në disa raste paga mujore e një profesori ka mbërritur deri në 8 mijë euro, shkruan e përditshmja "Express"

Sot në një kafiteri të Prishtinës, një aktivist i “STUDIM KRITIKË VEPRIM” ia dha gazetën “Express” rektorit të Prishtinës z.Mujë Rugova, gazetën e cila në faqe të parë kishte hetimin e policisë së krimit ekonomik në rektoratin e UP-së lidhur me pagat e muajit tetor të vitit që shkoi të cilat arritën deri në 8 mijë euro dhe e porositi rektorin që të merret me Universitetin në vend se të merret me shëtitje. Rektori Rugova reagoi duke e hedhur gazetën në tokë.

Gazeta "Ekpress" shkruan se krejt listat e pagave të Universitetit të Prishtinës për vitin 2010 dhe 2011 ndodhen në duart e Njësitit për Krime Ekonomike.

Express gjithashtu shkruan se para një muaji, dy hetues nga ky njësit i Policisë së Kosovës, kanë shkuar në Rektoratin e UP’së dhe nga aty, i kanë marrë të shtypura listat e pagave për këto dy vjet.

Burime të Expressit nga hetuesia tregojnë se aty janë të shtypura të dhënat nga lista e pagave, e të cilat përfshijnë të ardhurat e të gjithë të punësuarve në këtë universitet.

“Përveç kopjeve, të dhënat janë marrë edhe në mënyrë elektronike nga kompjuterët e Sekretarit të Përgjithshëm të UP’së”, thotë burimi i gazetës.

Hetimet nga Njësiti për Krime Ekonomike kanë nisur pas dyshimeve se ka parregullsi të mëdha në paga, ku në disa raste, të ardhurat mujore të një profesori mendohet se kanë mbërritur deri në 8 mijë euro.

Vizitën e bërë në Rektorat nga ana e hetuesve të këtij njësiti të Policisë së Kosovës, e konfirmon për Express edhe Vaxhit Sadriu, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të UP’së.

Atij në fillim nuk i kujtohet se për cilin rast bëhet fjalë.

Për këtë arsye, Sadriu tregon se para disa muajsh, ishte vetë ai që i ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit, një grumbull dokumentesh, lidhur me dyshimet për parregullsi në UP.

Pasi i sqarohet se koha e vizitës së pjesëtarëve të Njësitit për Krime Ekonomike nuk është më larg se një muaj më parë, zyrtarit të UP’së i kujtohet gjithçka.

“Ah, po tash po më kujtohet. Po, kanë qenë tash vonë para disa javësh dy policë dhe kanë marrë dokumente”, thotë Sadriu për Express.

Duke shpjeguar se ai u ka ofruar zyrtarëve të hetuesisë të gjitha dokumentet e kërkuara nga ana e tyre, Sadriu shpjegon se të njëjtit donin edhe diçka tjetër.

“Ata kërkuan edhe listën e pagave të Universitetit të Prizrenit. Por u tregova se ato duhet t’i marrin në Universitetin e Prizrenit”, thotë Vaxhit Sadriu, u.d i Sekretarit të Përgjithshëm në UP.

Por derisa hetimet ndaj UP’së tashmë kanë nisur, ai që duket se është më i painformuari për çfarë po ndodh rreth institucionit që drejton, është vetë Rektori Mujë Rugova.

I kontaktuar nga Expressi, kreu i UP’së thotë të mos dijë asgjë se çfarë është duke ndodhur.

“S’kam asnjë informacion. Kam qenë i zënë me punë të tjera, në disa udhëtime në Angli dhe nuk kam asnjë informacion”, thotë Rektori Rugova për Express.

Megjithëkëtë, është vetë Rektori Mujë Rugova ai i cili në një intervistë dhënë gazetës Express me 7 dhjetor të vitit të kaluar, ka treguar disa nga parregullsitë në institucionin e arsimit të lartë publik në vend.

“...Këtu ka keqpërdorime që i gjej unë, 2 apo 3 milionë euro borxhe”, ishte shprehur ndër të tjera Rugova në këtë intervistë.

Ai madje ishte shprehur se krejt çfarë ka pasur, ia ka dërguar EULEX-it, duke e informuar për borxhet e gjetura.

“Për shembull, përkthehen tetë libra, nuk përkthehen tetë, por katra, dhe një firmë e Tiranës t`i kërkon 500 mijë euro. Ku ka në botë një faqe libri të përkthehet 85 euro, nuk ka askund”, kishte treguar Rugova, parregullsitë sipas të cilit i kishte gjetur në kohën e emërimit në këtë post.

“Ose ti bënë kontratë për mobilie për UP, banka karrige e salla pedagogësh, me kontratë 138 mijë euro dhe firma t’i kërkon me 1 milion euro”, ishte shprehur rektori.

Në një rast, rektori ishte lutur për vizitë të Policisë.

“Për këtë, lutem që të vijnë policia. Nga 2002-ta deri më 2008, nuk është paguar TVSH-ja ku është dashur të paguhet çdo muaj nga 15 mijë deri 20 mijë euro...“, ishte shprehur ai.

Një nga personat që dyshohet se ka marrë paga jashtëzakonisht të larta është edhe vetë rektori Mujë Rugova. Në intervistën e tij dhënë gazetës Express, ai e kishte arsyetuar këtë. Dyshohet se ai kishte marrë deri në 8 mijë euro.

Mujë Rugova: Rrogat nuk janë të mëdha, janë grumbulluar, është gabim i administratës që nuk i ka ndarë, se ne i nxjerrim edhe honorarët e menaxhmenteve, i nxjerrim edhe dalim që jemi me paga më të vogla se çdo herë kaq para janë marrë. Mos mendoni se janë rritur pagat në UP. Këto rroga kanë qenë edhe pa ardhur unë këtu. 500 euro paga edhe 500 euro nga të hyrat e kontribuuesve të studentëve, plus honorarët. Ky bashkim i të ardhurave që vjen nga shteti dhe të ardhurat e studentëve futet në pension, kjo është, nuk ka asnjë ndryshim tjetër. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore