Ura e Manastirit në Zvërnec të Vlorës po shkon sërish drejt shembjes. Edhe u rindertua 8 vite me pare nga bashkia, ura që lidh brigjet me manastirin është sërish në gjendje të mjerueshme. At Jani Tereziu, shprehet se kisha autoqefale ortodokse nuk ka mundësi të ndërhyjë sepse nuk është pronare e urës.
“Pas rindërtimit të urës nga ana e Bashkisë së Vlorës, ne nuk kemi më kompetenca mbi të. Nuk na lejohet ndërhyrja por me duhet ta pranoj se kam shkelur ligjin për të rregulluar dërrasat se rrëzohen fëmijët e pletë. Në projekt ishte diçka tjetër, në realitet doli tjetër gjë! Por keqja është se nuk mirëmbahet”, tha ai.
Sipas tij At Jani Tereziu, problemi nuk qëndron vetëm te ndërtimi, por te mungesa totale e kujdesit dhe koordinimit mes institucioneve.
“Pushteti vendor dhe ai qendror duhet të koordinohen me Kishën Autoqefale. Nuk mund të realizohen investime pa konsultim, siç ndodhi me ndriçimin e rrugës apo parkimet. Ndriçimi nuk i shërben manastirit, sepse nuk është i aksesueshëm në orët e mbrëmjes,” shton At Tereziu.
Ai thekson se “më urgjente se sa ndriçimi eshte furnizimi me ujë të pijshëm dhe tualete publike”.
Rindërtimi i urës se këmbesoreve, me gjatësi 286 m, u realizua nga Bashkia e Vlorës në vitet 2016–2017 dhe kushtoi 36 milionë lekë. Projekti parashikonte edhe ngritjen e një muzeu me gjallesat e lagunës, por ideja mbeti në letër dhe nuk u zbatua kurrë.
Sot, ura e cila duhej të ishte një pikë lidhëse për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror, paraqitet me dëmtime serioze në strukturë, duke rrezikuar sigurinë e vizitorëve që shkojne çdo ditë drejt Manastirit të Shën Mërisë.
Komente








