Urdhri i Kërnit/Ylber Gjini: Censura
për median është injorancë e madhe

Urdhri i Kërnit/Ylber Gjini: Censura<br />për median është injorancë e madhe
TIRANË - Baritoni Ylber Gjini, studiuesi Behar Gjoka dhe dhjetëra artistë e intelektualë të njohur e kanë quajtur “një akt censure të turpshme” dhe “të pabesueshme” që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka nxjerrë një urdhër të brendshëm të datës 22.02.2016 që detyron artistët të marrin leje nga drejtoria për intervista. Në këtë vendim është shkruar konkretisht se “kontaktet me median mbahen vetëm nga titullari apo nga një punonjës i ngarkuar prej tij” (që nënkupton zëdhënësin e institucionit për median.

Madje ky vendim shoqërohet me një argument absurd që lë të kuptohet se nuk lejohet asnjë mendim ndryshe nga drejtuesi i institucionit, pra të jetë informacioni “i unifikuar”. Argumenti në pikën 2 të rregullores është ky: “në mënyrë që të ketë një unifikim të informacionit në çdo dalje në media nga drejtuesit apo vartësit e sektorëve do të bëhet me miratimin paraprak të Drejtorit të Përgjithshëm”.

Kështu shkruhet konkretisht në këtë urdhëresë, që lë të kuptosh, që as koreografi, as drejtori i orkestrës, as regjisorët e premierave, nuk do të flasim dot për median pa lejen e drejtorit të institucionit, e jo më të mendosh për artistët që pas këtij vendimi nuk do të guxojnë të hapin gojën për ndonjë pakënaqësi nga format të gabuara ose abuzuese të institucionit.

Konkretisht për të konfirmuar këtë kemi pikën 3 të rregullores në të cilën shkruhet se “ndaj çdo punonjësi do të merrem masa disiplinore, duke e quajtur shkelje të rëndë”. Kjo nëse kanë folur pa zbatuar dy pikat e para të rregullores. Dhe nuk do të jetë e thjeshtë për artistin që do të flas pa leje, sepse “Me çështjen e ndjekjes së këtyre shkeljeve ngarkohet personi përgjegjës i Burimeve Njerëzore”. Ky vendim është firmosur vetëm dy ditë më parë nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni.

A mund të ligjërohet në këtë mënyrë censura në një institucion. Mbase TKOB ka marrë ndonjë urdhër nga Ministria e Kulturës për këtë procedurë?!
Dihet se medieve televizive dhe gazetave të shkruara prej një viti u është bërë e qartë se nuk do të munden të marrin asnjë informacion pa lejen e Ministres së Kulturës në institucionin që ajo drejton.

Të gjithë drejtuesit apo punonjësit e institucioneve vartëse, si ata të Institutit të Monumenteve dhe drejtorët e drejtorive të trashëgimisë nuk japin asnjë intervistë, edhe kur media ngre probleme dhe debate, edhe në rastin kur zhduket një monument i tërë nga faqja e dheut, siç ka ndodhur me afresket e Kishës së Shën Gjon Pagëzorit në Krujë, që Instituti i Monumenteve të Kulturës e la 8 vjet nën ujë.

Dhe në raste të tilla në MK, gazetarët drejtohen për leje tek Këshilltarja për Median e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Dhe pas kësaj, rezulton vetëm një “mbyllje goje” nga ana e tyre. Duke shpresuar që ky urdhër të mos zbatohet për Ylber Gjinin, të vetmin bariton të talentuar që ka aktualisht Teatri i Operës dhe Baletit, po botojmë reagimin e tij për gazetën “Shqiptarja.com”

Zoti Gjini, pas këtij vendimi, unë shqetësohem se të prish punë, je njohur me urdhrin që s’duhet të flasësh pa lejen e drejtorit?
-Jam njohur, po ç’të them unë. Këta që kanë ardhur si drejtues nga jashtë në opera duhet të na kishin dhënë një model më të mirë lirie, jo censure. Unë e kuptoj pse e kanë bërë, e kanë fjalën për ne tre-katër artistë që kemi folur në media për gjërat që nuk shkojnë në opera. Po është qesharake të na mbyllet goja. Ne japim kontribut, japim idetë tona në atë opera, japim më mirën që mundemi.

Sigurisht që na takon e drejta të debatojmë për problemet, që nuk janë vetëm brenda operës. Nuk duhet të merren vendime të tilla, sidomos nga ata që kanë ardhur nga jashtë. Censura është injorancë e madhe. Mund të ndalojë drejtori të flas një artist kur mbushet salla e ka sukses, dhe ky nuk bën kritika objektive, por e bën zhurmën më media nga inati. Por dhe këtu problemi zgjidhet se dhe media di të seleksionojë.

Nuk kam parë unë që ndonjë media kur ka opera të suksesshme të ketë thënë të kundërtën. Ja te dy shfaqjet e fundit “Rigoletto” dhe baleti “Arrëthyesi” mezi gjeje bileta. Vetë media e vlerësoi dhe pasqyroi këtë fakt. Edhe un kam qenë jashtë dhe jam kthyer nga jashtë, por atje kam marrë modelin e lirisë së fjalës. 
 
Si të duket shprehja “të bëhet unifikimi i lajmit”, se edhe ne gazetarët pengohemi që ta shohim lajmin me sytë tanë?  
-Shiko, është tjetër gjë të ndalohen me rregullore disa nga veprimet e artistëve për mbarëvajtjen e operës, e tjetër të mos lënë të flasësh. Mbase unë si artist kam dëshirë të shprehem qoftë edhe për mbarëvajtjen e një opere. Unë apo një regjisor kanë nevojë t’i japim publikut një mesazh personal se çfarë do ketë vepra, por kjo rregullore të thotë të mos flasësh fare.

Përfitojnë këta drejtues nga edukata që kanë artistë, dhe se disa nuk reagojnë se kanë frikë sepse në qershor u mbarojnë kontratat. Mbaron kontrata, stepen. Po ç’të them unë, këto janë masa janë të të turpshme, unë mendoj nuk duhet marrë seriozisht, dhe uroj që kjo të mos shtrihet kudo në institucione. Po kjo varet nga mentaliteti që ka titullari. Nuk di ç’të them. Tjetër gjë është po të shkojë artisti në tallave, se ul imazhin e operës. Këtu institucioni ka të drejtë të vendos rregulloren e tij.  

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Robert Berisha uron publikisht vajzën e tij 16-vjeçare për ditëlindje! Ndan foton e dy motrave së bashku

Robert Berisha uron publikisht vajzën e tij 16-vjeçare për ditëlindje! Ndan foton e dy motrave së bashku