Urdhri sekret: Gjeni lidhjet e Mehmet 
  Shehut me armiqtë në Sarandë

Urdhri sekret: Gjeni lidhjet e Mehmet <br />  Shehut me armiqtë në Sarandë
Edhe pse Mehmet Shehu vdiq duke u gdhirë 18 dhjetori i 1981, Sigurimi i Shtetit nuk i ndërpreu për asnjë çast kërkimet dhe hetimet për të zbuluar lidhjet armiqësore të ish-kryeministrit të “vetëvrarë”.

Në vijim të hetimeve e kërkimeve që organet e sigurimit kishin bërë deri në vjeshtën e 1982-it vjen edhe ky dokument, që i drejtohej  Degës së Punëve të Brendshme Sarandë  për të hetuar në gjashtë pista, ku dyshohej se mund të zbulonin lidhje armiqësore të ish kryeministrit me elementë  armiq sic i cilësonte regjimi i atëhershëm.
Dokumenti sekret mban datën 20 tetor 1982, dhe vjen i zbardhur sipas origjinalit i plotë si më poshtë:
 
 
Dokumenti i plotë
 
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME           
 
 “SEKRET”
 
Nr. 4222                                        
Tiranë, më 20.10.1982
 
 
Lënda: Mbi lidhjet e armikut Mehmet Shehu
 
DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
ANËS SË SIGURIMIT
SARANDË
 
     Në lidhje me shkresën tuaj nr. 1169/1, datë 05.10.1982, për të zbuluar në thellësi veprimtarinë armiqësore në shërbim të agjenturave të huaja, të armikut Mehmet Shehu dhe lidhjeve të tij armiqësore në rrethin e Sarandës, të merren këto masa:
     1 – Të vazhdojë studimi i lidhjeve të armikut Mehmet Shehu në atë rreth dhe për ata që disponohen materiale për veprimtari armiqësore ose dyshime se zhvillojnë veprimtari armiqësore, të merren të gjitha masat agjenturore operative për të zbuluar lidhjet dhe veprimtarinë e përbashkët me armikun Mehmet Shehu dhe me zbulimet armike të cilët këta i kanë shërbyer.

     2 – Të studiohen materialet në ngarkim të Sotir Kalivjotit dhe të organizohet puna agjenturore operative në drejtim të tij me qëllim për të zbuluar veprimtarinë e mundshme armiqësore të tij me armikun Mehmet Shehu dhe me zbulimet të cilët këta i kanë shërbyer.

     3 – Të studiohen materialet, dosjet e përpunimit, ato gjyqësore e hetimore në ngarkim të të dënuarve Kristo Lekoshi, Ali Xhelo, Gani Tartari, Hajri Mane, Thodhori Veto, të evidentohen e nxirren ato momente që mund të bëjnë fjalë për veprimtari të përbashkët të këtyre agjentëve me armikun Mehmet Shehu e lidhjet e tij; të evidentohen lidhjet e tyre që aktualisht janë në gjendje të lirë dhe për ata që disponohen materiale ose ka dyshime se kanë zhvilluar ose zhvillojnë veprimtari armiqësore të merren të gjitha masat agjenturore operative për të zbuluar veprimtarinë e përbashkët me armikun Mehmet Shehu e lidhjet e tij, si dhe me zbulimet që këta u kanë shërbyer.

     5 – Të studiohen lidhjet e të riatdhesuarit Gjolek Avdiu nga fshati Shalës, e për ata që disponohen materiale e dyshime për veprimtari armiqësore të organizohet puna agjenturore operative në drejtim të tyre. Gjithashtu të koordinohen masat agjenturore operative me plan masash me Degën e Punëve të Brendshme – Elbasan dhe Degën e Brendshme ku mund të vuajë dënimin Gjolek Avdiu, me qëllim për të zbuluar në thellësi veprimtarinë e mundshme armiqësore të këtij armiku me armikun Mehmet Shehu.

     6 – Të punohet për të konkretizuar të dhënat që bëhet fjalë se armiku Mehmet Shehu ka fjetur në një rast në shtëpinë e Thodhori Vetos kur aty ka qenë e strehuar një bandë dhe në vartësi se çfarë do t’ju dalë, të punohet për thellimin e mëtejshëm të këtij problemi.

     - Për çfarë do t’ju dalë në këtë drejtim, na vini në dijeni menjëherë.
 
KRYETARI I DEGËS SË PARË
/HODO HODAJ/
    (firma, vula)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç