Reformimi i burgjeve vijon në të gjithë vendin. Në një kohë ku janë paralajmëruar shkarkime masive në nivelet më të larta, ministria e Drejtësisë ka hapur garën për aplikime në pozicionet drejtuese.
Të gjithë drejtuesit e burgjeve do të kalojnë në 'sitë' kontrolli dhe të gjithë ato që rezultojnë me probleme do të shkarkohen.
Edhe pse ende nuk dihen konkretisht se cilët janë emrat e drejtorëve aktualë që do të shkarkohen nga ky proces verifikimi, informacionet e para bëjnë me dije se procesi është i ndërlidhur edhe me disa raste të hershme të konstatuara si shkelje nga drejtorët e Burgjeve.
Zyra e shtypit së Ministrisë së Drejtësisë njofton se fakti që një sërë drejtorësh do të shkarkohen, vërtetohet pikërisht edhe nga vetë urdhri i Gjonajt për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
“Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese”, paralajmëronte Gjonaj në deklaratën e datës 30 Korrik, nisur edhe nga veprimet e konsideruara abuzive të ish-drejtorit të Lushnjës.
Ky reformim konfirmohet edhe nga deklaratat e bëra disa javë më parë ku Gjonaj, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, prezantoi Masterplanin e Sistemit Penitenciar.
Në prani të ambasadorit të Britanisë, z. Duncan Norman, kryetares së zyrës së Tiranës për Këshillin e Evropës, znj. Jutta Gotzoë, dhe përfaqësuesve të Organizatave Ndërkombëtare dhe vendase, Gjonaj garantoi se procesi i përzgjedhjes do të jetë po aq dinjitoz sa ai i rekrutimit të efektivëve në burgje, garë e cila u përshëndet gjerësisht për formën se si u ndërtua dhe rezultatet meritokratike që pasqyruan integritet, moral dhe profesionalizëm.
Vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ për të garantuar siguri si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin.
Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë bën me dije të gjitha kriteret përkatëse që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u bërë pjesë e konkursit ku do të përzgjidhen funksionarët më të denjë për të shërbyer në këtë detyrë të rëndësishme.
Më poshtë po përcjellim njoftimin e plotë lidhur me shpalljen e pozicioneve “Drejtor në IEVP”:
Kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësojnë personat që aplikojnë:
a. Të jetë shtetas shqiptar.
b. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
c. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur.
ç. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
d. Të zotërojë të paktën diplomë të nivelit “Master Shkencor” ose “Master Profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike apo të barazvlefshme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët ekonomi, drejtësi, punë sociale, sociologji, psikologji, ose diploma të barazvlefshme me to në fushën e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjes.
dh. Të ketë një përvojë pune për të paktën 10 (dhjetë) vjet në pozicione nga te cilat 3 (tre ) vjet nëpozicione drejtuese, në Administratën Publike, ne Sistemin Penitenciar, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Institucionet Ndërkombëtare brenda ose jashtë vendit si dhe Institucionet e arsimit të lartë.
e. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
ë. Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
f. Të mos ndodhet në kushtet e ndalimit sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar.
g. Të mos ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
gj. Të jetë person me integritet dhe cilësi të larta morale.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
• Jetëshkrimi CV;
• Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
• Fotokopje të librezës së punës të noterizuar
• Fotokopje të letërnjoftimit (ID) ose pashaportës;
• Raport Mjeko-Ligjor;
• Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
• Vërtetim nga Prokuroria për mosqenie në ndjekje penale;
• Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet nëpërmjet postës eletronike [email protected] ose dorazi brënda datës 23.08.2019, në Ministrinë e Drejtësisë.
Mënyra e shqyrtimit dhe shpallja e rezultateve të seleksionimit paraprak
Brenda datës 26.08.2019, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, bën verifikimin paraprak të dosjeve të aplikantëve nëse plotësojnë kriteret. Lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’iu nënshtruar testimit do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë brenda datës 26.08.2019.
Kandidatët që nuk plotësojnë kriteret, njoftohen nëpërmjet email-it zyrtar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve dhe kanë të drejtë të paraqiten pranë këtij Komisioni për t’u njohur me arsyet e moskualifikimit. Kandidatët mund të ankohen në Ministrinë e Drejtësisë brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e listës.
Data për zhvillimin e testimit të njohurive profesionale
Testimi i njohurive profesionale do të zhvillohet në datën 30.08.2019, ora.10:00,në Ministrinë e Drejtësisë. Pas përfundimit të testimit me shkrim, kandidatët do të njoftohen për datën dhe orën e intervistës me gojë.
Fusha e testimit, Mënyra e vlerësimit, afati dhe ankimimi
Kandidatët do të testohen për legjislacionin si më poshtë:
• Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë;
• Ligji nr.8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar;
• Ligji nr.8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar;
• Ligji nr.10 032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar;
• Ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
• VKM nr.437, datë 20.05.2015 “Për miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”.
Vlerësimi i kandidatëve që i nënshtrohen procedurës së konkurimit, bëhet sipas një procedure që përfshin vlerësimin e mëposhtëm:
a) Vlerësimin e jetëshkrimit (CV) të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, eksperiencës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, 30 pikë;
b) Testimi me shkrim, 40 pikë;
c) Intervistën e strukturuar me gojë, 30 pikë.
Vlerësimi maksimal është 100 pikë.
Brenda 3 ditëve ditëve nga përfundimi i intervistave me gojë, kandidatët do të njoftohen nëpërmjet email-it zyrtar rreth rezultateve totale, si dhe rezultatet do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Kandidatët kanë të drejtë të ankohen për rezultatet, pranë Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, me shkrim, brenda 3 ditëve nga njoftimi i rezultatit. Komisioni shqyrton ankesën brenda 1 dite nga paraqitja e saj dhe njofton kandidatin.
Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave, lista përfundimtare do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.