Ushqimet dhe pijet jo alkoolike në Shqipëri janë më të shtrenjtat në Rajon. Raporti i fundit i EUROSTAT thotë se ato janë sa 83.4% e mesatares së BE-së, duke u renditur më të lartat në rajon për vitin 2020. 

Jo vetëm për ushqimet por edhe për veshjet, këpucët, apo edhe çmimet e shërbimit të transportit dhe të komunikacionit janë më të lartat në rajon. Konkretisht sipas këtij raporti niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 58% e mesatares së BE-së me 2020.

Ndërsa fqinjët përveç Serbisë që është në të njëjtin nivel me Shqipërinë, kanë çmime më të ulta, pasi ky tregues në Malin e Zi 57%, Bosnjë 55%, në Maqedoni është 50%, apo Rumani 38%.  Ndërsa sa i takon restoranteve dhe hoteleve vendi ka çmime më të larta se Turqia dhe Maqedonia e Veriut.

Por nga ana tjetër Shqipëria është klasifikuar nga Eurostat si vendi me të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon të ndikuara edhe nga pandemia COVID-19. Të ardhurat për frymë vlerësohen sa 31% e mesatares së BE-së duke mos pësuar rritje.

Ndërkohë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat për frymë në 2020 ishin në vlerën e 4.459 eurove, me një rënie prej 323 euro krahasuar me 2019. Ndërkohë këtë vit pritet që të ardhurat për banor të arrijnë në 4.782 euro, e njëjta vlerë me vitin 2019.