Ushtria zvicerane, me shqiptarë
që bëjnë me duar shqiponjën

Ushtria zvicerane, me shqiptarë<br />që bëjnë me duar shqiponjën
GJENEVË (ZVICËR) - Pas jehonës që iu bë fotografisë së përhapur në rrjetin social të Facebookut me ushtarët zviceranë me prejardhje shqiptare, portalet e gazetave Blick dhe 20 Minuten kanë identifikuar vajzën e vetme që shihet në këtë fotografi, Jetmira Avdilin.

Në intervistat që ka dhënë për këto dy media, 19-vjeçarja me rrënjë kosovare ka sqaruar se në fotografinë në të cilën ajo dhe 8 ushtarë të tjerë formojnë me duar shenjën e shqiponjës së flamurit shqiptar nuk kanë dashur të ofendojnë askënd, transmeton Albinfo.

“Ne duam që t'u tregojmë gjithë shqiptarëve se sa zviceranë me prejardhje shqiptare shërbejnë në ushtrinë zvicerane. Dhe me këtë deshëm të shprehim se ne, përkundër prejardhjes sonë, jemi krenarë me uniformën që bartim. Ndryshe ne nuk do të kryenim 300 ditë shërbimi për Zvicrën. Me këtë ne nuk kemi dashur të ofendonim askënd dhe sidomos jo Zvicrën.

Ndërkaq, Jetmira sqaron për portalin se shqiponja e flamurit shqiptar simbolizon atdheun edhe për kosovarët, pavarësisht nga fakti se Kosova sot nuk i takon Shqipërisë. “Me këtë ne shprehim lidhjen me atdheun tonë, dhe nderimin për rrënjët tona”.

E pyetur nëse e ndjen veten më shumë zvicerane apo e huaj ajo thotë se ndjehet e integruar shumë mirë dhe se është krenare si zvicerane. “Por unë tani për shkak të një fotografie po identifikohem si një e huaj. Kjo, me gjithë faktin se ne në fotografi jemi pikërisht të huajt e integruar mirë, ndërkohë që të tjerë janë ata që nuk duan aspak të përshtaten. Fakti se ne jemi në ushtrinë zvicerane është shembulli më i mirë për integrimin tonë”.

Jetmira më tej në intervistë sqaron se në mesin e 9 ushtarëve që kanë bërë shqiponjën me duar, shumica janë nga Kosova dhe nga Maqedonia, por njëri është zviceran, me prindër zviceranë.

Si bën që ajo të jetë krenare si shqiptare dhe si zvicerane në të njëjtën kohë, është pyetja e radhës, të cilës ushtarja 19-vjeçare i përgjigjet: “Ne i kemi rrënjët në Shqipëri. Këtë nuk duam dhe as mundemi ta injorojmë. Dhe, mund të jesh gjithsesi zviceran i vërtetë, pa harruar atdheun e dikurshëm”.

Ndërsa pyetjes sugjestionuese të gazetarit se “a do të luftonte më me dëshirë për Zvicrën apo për Kosovën, ushtarja me prejardhje nga Kosova i përgjigjet: “Unë nuk dua fare të luftoj. Por nëse do të duhej të vendosja, atëherë, sigurisht për ushtrinë zvicerane. Zvicra është vendi im, unë jam lindur dhe e rritur këtu, ajo më ka dhënë kaq shumë. Këtë nuk do të mund ta bënte Kosova kurrë. Kështu thonë praktikisht të gjithë kolegët e mi me prejardhje kosovare”.

shqiptare ne ushtrine zvicerane
(Në foto: Ushtarët zviceranë me origjinë shqiptare, ku e identifikueshme është vetëm 19-vjeçarja Jetmira Avdili).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca