Vëllanë tim e dhunon bashkëshortja

Vëllanë tim e dhunon bashkëshortja
E dashur Mirela,
 
E di qe kjo rubrikë është për dhunën ndaj grave, por besoj jeni në dijeni se dhuna ushtrohet edhe ndaj burrave. Unë po ju shkruaj pasi jam e shqetësuar për vëllanë tim, i cili që kur është martuar është transformuar si njeri. E kemi vëlla të vetëm dhe më i vogli pas tri motrash. Imagjinoni çfarë gëzimi kanë përjetuar prindërit e mi me të. Por martesa e ka ndryshuar totalisht. Tani ai është kthyer në bebisiter dhe puna e tij është të kujdeset për vajzën që sapo ka lindur. Ai ka përjetuar për një kohë të gjatë stres pasi nuk arriti të gjente një punë, dhe tani e shoqja punon ndërsa ai është kthyer në shtëpiak që t’i shërbejë asaj.
 
Në fakt disa herë unë dhe motrat e mia jemi përpjekur që t’i gjejmë një punë, por ajo nuk e ka lejuar që të mbajë kontakte të rregullta me ne, e ka larguar totalisht prej nesh. E di që emancipimi i femrës ka marrë hov vitet e fundit edhe në Shqipëri, por deri aty sa gruaja të dalë në punë dhe burri të rrijë në shtëpi që të kujdeset për fëmijën s’ma kishte marrë mendja. Nuk arrij ta kuptoj se çfarë ka ndodhur me vëllanë tim. Menjëherë pas martesës u largua nga shtëpia e prindërve të mi edhe pse kishin një shtëpi të madhe. E shoqja ushtron një presion të jashtëzakonshëm ndaj tij dhe jam e sigurt se kjo është dhunë. Unë nuk mund të them se e dhunon fizikisht pasi nuk e di se çfarë ndodh mes tyre në shtëpi, por e di që dhuna ka edhe forma të tjera.
 
Para disa muajsh ne ishim në një dasëm dhe në një qoshe vjedhurazi e kam dëgjuar kunatën time duke iu çjerrë vëllait tim me të madhe, i ulërinte sa kishte fuqi dhe ai nuk i kthente përgjigje. Nuk dita çfarë të bëj, jam ulur poshtë një peme dhe kam qarë me ngashërim. E shikoja vëllanë tim në atë gjendje dhe nuk e ndihmoja dot. Jam përpjekur disa herë të bisedoj me të dhe t’i lë të kuptoj se nëse ka nevojë për ndihmë unë jam aty për të, por ai nuk tregon asgjë. Madje thotë se është i lumtur me gruan që ka. Kur tentova një ditë të flas për të ai ma tha prerë, “Nuk të lejoj të flasësh për të. E di vetë se çfarë bëj me jetën time”. Si mund ta ndihmoj nëse ai është nuk është i vetëdijshme për gjendjen e tij.
 
Më vjen keq për nënën sepse ajo e vuan më shumë se askush. Edhe pse është e moshuar e kupton se në çfarë situate ndodhet i biri. Nuset e sotme janë modernizuar aq shumë sa u bëjnë ligjin burrave. Vishen e lyhen në mënyrë ekstravagante, pinë duhan, i japin makinës, bëjnë karrierë dhe jam dakord deri këtu, por në rastin e vëllait tim është abuzim. Ai lan, gatuan, pastron, kujdeset për fëmijën ndërsa ajo pi kafe me shoqet. Të lutem a mund të më thuash, a është kjo dhunë? Madje edhe kur duam të flasim në telefon me vëllanë më shumë na përgjigjet ajo: “Mund ta marrësh më vonë se është i zënë tani”. Po sigurisht që mund të jetë i zënë, duke larë pjatat, duke ndërruar pampersat apo duke gatuar.
 
Jam shumë e shqetësuar për tim vëlla sepse tani që është pa punë ndihet i rënë moralisht ndaj ndoshta kjo është arsyeja që i duhet të durojë presionin e saj. Ajo sjell lekët në shtëpi dhe ai duhet të durojë pasi nuk ka rrugë tjetër. Nuk di si ta ndihmoj kur ai nuk e pranon ndihmën time, çfarë mund të bëj për të kur ai një ditë ma tha troç, “Nuk kam nevojë për ndihmë, kam nevojë të më lini të bëj jetën time”. Pas kësaj bisede unë jam e pafuqishme ta ndihmoj, por kur shoh gra që përfitojnë nga raste të tilla ndihem shumë keq.
 
Unë e vlerësoj rubrikën që ju keni hapur te shqiptarja.com pasi është shumë e vlefshme për gratë ndaj të cilave ushtrohet dhunë, por nga ana tjetër jam e shqetësuar sepse ka edhe gra që e keqpërdorin lirinë që u jepet. E ndoshta duke u dhënë kaq shumë liri nuk është mirë. Unë jam vetë grua por ama ashtu siç di të drejtat e mia di të respektoj edhe të drejtat e burrit. Ne jemi rritur e edukuar në një vend që për vite me radhë na ka ushqyer një frymë të tillë që burri ka disa prioritete dhe ndoshta na duhet kohë deri sa të gjejmë një balancë. Me këtë nuk dua të them se është mirë që ne tua japim me dëshirë të drejtën burrave për të na drejtuar por barazia nuk mund të vijë në mënyrë drastike. Ashtu siç po përballemi me tranzicione të tjera në këtë shoqëri dhe barazia gjinore është një proces që kërkon kohë.
 
Më falni se ndoshta u zgjata por do të isha e interesuar të dija përgjigjen tuaj.
Me respekt. F.
 
NUK E NDIHMOT DOT, ATË QË NUK DO
 
E dashur F,
 
E kuptoj shqetësimin tënd prej motre, dhe faktin që edhe burrat mund të jenë viktima të dhunës ashtu si gratë. Në Shqipëri kjo duket e pazakontë, pasi rregullat dhe sistemet e besimit duken aq mirë të përcaktuara sa stereotipi i marrëdhënies bashkëshortore anon kryesisht në avantazh të burrit. Megjithatë, ashtu siç edhe ti tregon përmes kësaj letre nuk përjashtohen rastet kur rolet ndryshojnë.
 
Vitet e fundit, shumë është folur dhe përforcuar nevoja e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës. Dhe deri diku mund të pranojmë se pozicioni i gruas shqiptare ka ndryshuar në krahasim me brezat e mëparshëm. Falë kësaj lëvizjeje që mbështet emancipimin e saj ka pasur edhe zhvillime të tilla që i ka lejuar gratë të bëjnë karrierë pa lënë mënjanë familjen dhe rolin e mëmësisë. Por në kulturën tonë duket e patolerueshme që kjo liri e gruas të shkëmbehet me “sakrificën e burrit” për të qëndruar në shtëpi dhe të kujdeset për fëmijët. Ende edhe sot, ky realitet mbetet një mit i pathyer tek ne.
 
Sigurisht që dhuna ka forma të ndryshme, përfshirë atë psikologjike, fizike, seksuale, financiare dhe emocionale: dhe burrat nuk përjashtohen nga ky realitet. Me kaq sa tregohet në këtë letër unë nuk mund të them me siguri se vëllai juaj është në të tillë presion. Sa kohë ai nuk e pranon këtë fakt, e bën edhe më të vështirë për ta kuptuar situatën të cilën ti e përshkruan nga këndvështrimi yt. Dëshira jote për ta ndihmuar nuk përputhet me gatishmërinë e tij për ta pranuar këtë ndihmë. Për më tepër ai nuk mendon se ka nevojë për ndihmë, dhe këtë e thotë qartë në përgjigjen që të ka dhënë. Në këtë rast është e vështirë të presësh se gjërat mund të ndryshojnë.
 
Më vjen ndërmend një tregim të cilin e përdorim shpesh në psikoterapinë pozitive: Një burrë po mbytej në një moçal dhe po thërriste “Ndihmë, ndihmë”! Shumë veta që po kalonin aty rrotull u afruan duke i zgjatur duart,  por e pamundur për ta nxjerrë. Një çast afrohet një plak i mençur dhe pyet “Çfarë po bëni o njerëz? – Ja, po mundohemi ta shpëtojmë, se po mbytet. – Po ju a nuk e shikoni se ai ka nuk e ka zgjatur dorën – ua kthen plaku. Nëse ai nuk zgjat dorën që të kapet pas jush ai nuk mund të dalë nga moçali”.
 
Besoj se morali i fabulës është shumë i qartë. Ne shpesh duam të ndihmojmë njerëzit tanë të dashur, por ata nuk zgjasin dorën që ta pranojnë ndihmën tonë. Madje në rastin e vëllait tënd situata duket edhe më e komplikuar pasi ai jo vetëm që nuk zgjat dorën, por as nuk thërret për ndihmë. Përkundrazi thirrja e tij është që ju “ta lini që të bëjë jetën e vet”. Shpesh edhe kur klientët vijnë në terapi, as psikologu nuk arrin t’i ndihmojë dot, nëse ata nuk zgjasin dorën dhe të bashkëpunojnë, që të dalin nga situata në të cilën ndodhen. Ndoshta ti mendon se vëllai yt është në moçal, por cila do të ishte përgjigja e tij nëse e pyesim atë? Nga përvoja ime me terapinë e familjes kam mësuar se njerëzit e të njëjtës familje e tregojnë të njëjtën histori në mënyra krejt të ndryshme, a thua se nuk po flasin për të njëjtën gjë. Prandaj, për të, ka gjasa që të mos jetë moçal, por fushë në të cilën ai dëshiron të qëndrojë aty. Sa kohë ai nuk ndjen të nevojshme të ndryshojë, as ti, dhe askush tjetër nuk mund ta ndihmojë.
 
E dashur F, e di që ti kërkon me shpirt ta ndihmosh vëllanë tënd, por nëse ai nuk dëshiron të dalë nga “moçali” nuk mund të bësh asgjë. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që vëllai juaj të jetë i varur nga e shoqja financiarisht, emocionalisht apo nga forma të tjera të lidhjes me të. Edhe nëse në ndonjë rast kjo varësi merr trajta të abuzimit apo të dhunës, ju nuk mund të bëni asgjë nëse ai nuk ndërgjegjësohet për këtë. Në raste të tilla, qoftë burrë apo grua, reagimet shpesh janë të njëjta: zgjedhje me vullnetin e lirë për të qëndruar në marrëdhënien e tyre, qoftë ajo edhe abuzuese. Njerëzve shpesh u duhet kohë e gjatë për të kuptuar se çfarë nuk dinë, dhe “nuk janë në dijeni për mungesën e dijes” apo aftësisë për të ndryshuar rrethanat në jetën e tyre.
 
Për ta mbyllur do të doja të theksoja se fakti që e shoqja punon, dhe ai kujdeset për fëmijën e tij në shtëpi, nuk tregon shenjë dhune por emancipim. Ndërsa aspekte të tjera të marrëdhënies së tij me ju dhe prindërit, janë detaje të cilat mund të trajtohen në një dimension më të gjerë. E vlerësoj faktin që ti nuk dorëzohesh në dëshirën tënde për ta ruajtur lidhjen me vëllanë dhe të jesh e pranishme në jetën e tij. Por nëse ai bën rezistencë dhe dëshiron që të vendosë kufij në këtë marrëdhënie, duhet të bësh durim, dhe të përpiqesh të fitosh besimin e tij. Nëse ti e fiton këtë besim, mund të ndezësh një dritë jeshile që ai të hapet me ty, dhe të mësosh të vërtetën e lidhjes së tij me të shoqen.
 
Nëse je një grua e dhunuar dhe ngurron të kërkosh ndihmë sepse ndihesh në faj apo të vjen zor nga vetja mund të na e rrëfesh historinë tënde këtu. Nëse ndihesh e frikësuar apo e kërcënuar nuk ka nevojë të tregosh emra dhe detaje, thjesht pyet dhe do të marrësh përgjigje.

Letrat tuaja mund t’i dërgoni direkt në adresën e psikologes Mirela Sula: [email protected]


Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Nuk kërcënojmë Europën, por duhet të biem dakord se si do të jetojmë

Kremlini: Nuk kërcënojmë Europën, por duhet të biem dakord se si do të jetojmë