Vështrimi ndryshe i
“Milosaos” së De Radës

Vështrimi ndryshe i<br />“Milosaos” së De Radës
De Rada i madh nisi ta shkruajë kryeveprën e tij të pavdekshme “Këngët e Milosaos” në vitin 1833. Tepër i ri, i hajthshëm dhe delikat, kurioz dhe kërkimtar, i pavendosur, i dyzuar, por dhe vizionar De Rada, i frymëzuar nga baladat e mahnitëshme arbëreshe ravizoi një roman poetik të hatashëm nga të gjithë pikëpamjet. Ai nisi të shkruajë fragmente të veçanta në formën e një ditari vetiak, jo të përcaktuar për publikim. Duke dashur të thellohet në misteret e gjuhës arbëreshe, një variant gjuhësor i shqipes në epokën kastriotase para pushtimit otoman, ai zbuloi disa struktura arkaike të lashta të ngjashme me ato të të kristaleve dhe gurëve të çmuar.

De Rada e ndjente, që gjuha arbëreshe qe shumë pranë katastrofës së zhdukjes së saj. Për shekuj të tërë kjo gjuhë kish mbijetuar falë dhe një lloj mbylljeje në vetvete, apo të një konservimi strukturor të brendshëm. Ky karakter ishullor i gjuhës arbëreshe nuk mund të qe përfundimisht i amëshuar. Komunitet arbëreshe e kishin gjuhën e tyre si gjuhë orale, kurse si gjuhë e shkruar ajo mund të lartësohej në një etapë të re, me gjasa për të mbetur përfundimisht, duke zevëndësuar kështu konceptimin e amëshimshmërisë të paktën në formën tekstore.

De Rada u bë pishtarmbartës i gjuhës arbëreshe të shkruar, pra i arbërishtes si libër si një status i veçantë i mbamendjes kombëtare. Procesi i krijimit të “Milosaos” i ngjan një procesi endemik, më saktë biologjik. Më ka mbetur në mendje një shprehje e arbëreshit të ditur Domeniko Mauro, i cili e ka krahasuar stilin e De Radës “me mëngjesin e  vrapimit të një kali”. Ky përcaktim i mrekullueshëm ka të bëjë jo vetëm më plotfuqishmërinë e natyrës rusojane, por sidomos me lëvizjen e një qënie të gjallë mes qiellit dhe tokës, një lëvizje e vetëtimtë e vizioneve të pafundme.

“Milosao” u shkrua kur poeti qe 18 vjeç. Më 1936 “Këngët e Milosaos” përfshinin në botimin e librit 30 këngë (kangjela) dhe tre vjershëza (që De Rada i quan graxeta, ndoshta që këndoheshin nga gratë). Fillimisht De Rada e botoi romanin poetik me titullin “Poezi arbëreshe të shek XV”. Ai dëshironte të mbetej anonim dhe krijimin e tij ta quante si një krijim të popullit. Menjëherë u kuptua se ky libër qe kultivimi fin, i përsosur dhe i veçantë i një poeti shumë të madh, në një moshë shumë të re, siç qe De Rada. Ky libër do të bëhej kali i lavdisë dhe i famës së tij të pashtershme. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vragjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”.

Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri ka këtë kushtim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”. Më 1847 “Milosao” botohet me titullin ”Poezi arbereshe”, janë 39 këngë të përfshira, shtohen dhe 5 vjershëza (graxeta). Botimi merr një arkitekturë të re, formën e ditarit, duke vënë në krye të çdo kënge ditën dhe muajin, vitin e ngjarjes. Në botimin e vitit 1873 përfshihen këngët e botimit të dytë me përjashtim së Këngës së XI, por ka dhe shtesa të disa këngëve të reja. Interesant është se në këtë botim është hequr epigrafi i Pindarit dhe janë vënë vargjet popullore : “Sytë e saj një mijë duka/Vetulla po aq/Vetë ajo gjithnjë jetë.

”Duket që është një dedikim dashuror, për vajzën e zemrës, reale, ose të imagjinuar. Në të gjithë historitë e letërsisë shqipe, në të gjitha botimet e “Milosaos” thuhet se Milosao qe dhespot i Shkodrës. Ky titull është bizantin i përdorur në Jug të Shqipërisë. Një të tillë e kanë përdorur fjala vjen Muzakajt. Në botimet e famshme të Dhimitër Shuteriqit dhe Andrea Varfit, që kanë përshtatur “Milosaon” nuk hidhet dyshimi se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës, qytetit më të madh të Veriut. Studiuesit mendojnë, se De Rada kishte për qëllim të tregonte një histori intime të strukturuar në Shkodrën e shek.XV. Kjo tezë është zotëruese në të gjitha librat e deradologëve. Këtë tezë nuk e ve në dyshim as deradologu i njohur Jup Kastrati. Kaq e vërtetë është kjo, sa që teza e mësipërme  është gati një tabu e historisë së letërsisë shqipe.

Duke i studjuar këto ditë me ngulm dhe kujdes të madh botimet e “Milosaos”, duke u bazuar në substancën letrare poetike të vetë veprës dua të bëj publikisht të njohur një tezë krejt të ndryshme, se “Milosao” nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën. Për ta vërtetuar këtë tezë unë natyrisht do të përdor argumente të llojit të brendshëm, argumente vetëtregues. Kam përpara dy përshtatje të Milosaos në shqipen moderne letrare. Njëra e Dhimitër Shuteriqit dhe tjetra e Andrea  Varfit, të dy deradologë të ndjerë.


Të dy dijetarët i kanë pajisur librat me shënime të hollësishme të karakterit shpjegues., por ë të dy nuk dyshojnë tek fakti se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës. Në të vërtetë De Rada shkruan formën Skutari. Kjo formë është identifikuar me shqipen Shkodra. Po a kemi të bëjmë vërtet me Shkodrën? Le ti referohemi poemës ciklike të”Milosaos.”  Kënga e I e “Milosaos” fillon me një metaforë të ripërtëritjes së natyrës, kur “jeta kish ndrruar lisat, kurse uji i ri kaltëronte në det, duke paralajmëruar ditë të reja. Që nga Tempa e lashtë, (Tempa është tempull në Thesali), vjen Lumbardha, njëlloj pëllumbi detar e Anakreontit dhe përplaset në qelqet e dritares së poetit. Kjo metaforë  tregon që një simbol i lashtë i poezisë, siç është Lumbardha e Anakreontit vjen në një mjedis buzë detit, mjedis që kurrsesi nuk mund të jetë ai i Shkodrës në Veri të Shqipërisë.

Tipografikisht ky mjedis detar, që është shtrat i poemës, është diku në Shqipërinë e Jugut. Nuk mundet kurrsesi që Lumbardha e Anakreontit të ngjitej në një mjedis të ndryshëm që nuk është detar. Arketipi kryesor mjedisor i poemës është deti. Ai del kudo gjithnjë pranë dhe jo larg. Në Këngën e I është simbolI i përtëritjes së jetës dhe gjithësisë, aq sa duket e mahnitëshme që edhe ujët e lashtë të detit mund të përtërihet me ujë të ri.

Kënga e VII nis me këto vargje: “Përse të venë në det /mendimet zemra ime/zbardhuan anijet armike/vëzhguan, pastaj u fshehën./.Erdhi Dita e Arbërit!”Evokohet kështu një ngjarje që lidhet jo vetëm me luftën në bregdet, por edhe me një betejë detare. Një betejë e tillë nuk mund të bëhet në Shkodër, sepse deti është larg nga Shkodra dhe Shkodra lidhet me detin ndërmjet Bunës dhe lumit Drin, që derdhet në Gjirin e Lezhës....

(vijon në numrin e ardhshëm) 

Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit