Vajtimi për yllin komunist dhe librin e Enverit tek mozaiku 'Shqipëria'

Vajtimi për yllin komunist dhe librin e Enverit tek mozaiku 'Shqipëria'

Mozaiku 'Shqipëria' te Muzeu Kombëtar

Ka plasur rëndshëm debati virtual mbi retushimin e mozaikut në ballinën e godinës së Muzeut Historik Kombëtar. Në Perëndim, veprat monumentale ku tregohet madhështia e një epoke, apo që kërkon të përçojnë një doktrinë të caktuar, janë më të rralla. Por në vendet e ish-bllokut socialist, qoftë në Evropën Lindore e ca më fort në Azi, këto vepra kanë qenë në mes të çdo qyteti. Mund të shohësh një territor urban mizerabël që jeton nën nivelin e varfërisë por që në sheshin qëndror të tij monumentet e mëdha të liderëve autoritaristë ngrihen deri në re. Nëse Perëndimi ka gradaçelat, në Lindje konkurrojnë përmendoret. Lartësia shkon në barazim.

Mozaiku në ballinën e Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës nuk mund t’i shpëtonte këtij ndikimi. Dy ndërhyrjet restauruese, – një herë 30 vite më parë, që konsistoi me heqjen e yllit të verdhë që qëndronte mbi shqiponjën e zezë në flamur dhe një tjetër tani së fundmi ku bashkë me implementimin teknik që restauroi fasadën e dëmtuar, na u zhduk dhe libri që një përfaqësues i klasës punëtore mbante në gji, – nuk është se i kanë bërë dëm mozaikut, përveç faktit që e bën të jetë më afatgjatë në kohë. Pra, në njëfarë mënyre e çliron nga dogma.

Retushimi është i papërfillshëm, ndërkohë që padyshim për dikë që i ka të shenjta këto simbole është dramatik.

Përgjithësisht thuhet se veprat e artit i takojnë një epoke të caktuar dhe si të tilla nuk preken. Por blasfemi do të ishte nëse nuk do të kishte precedent.

Mirëpo precedentët janë të panumërt.

Kur Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën urdhëroi që një kryevepër si Shën Sofia nga Kishë të kthehej në Xhami. Godina vazhdon të jetë po aty prej qindra vjetësh por ikonat e pikturuara nëpër mure u zhdukën. Veprat e artit i mbuloi boja dhe godinës solide iu shtuan minaret. Këtij po i thonë retushim 100 përqind. Sepse ikonat janë po aty. Po t’u hiqet boja dalin sërish në dritë.

Nuk po i futemi faktit që Enver Hoxha veproi ku e ku më keq, duke ua ndërruar destinacionin objekteve të kultit, sepse ca i bëri magazina drithi, ca i ktheu në kazerma ushtarake e ato më me fat u kthyen në vatra kulture. Po të përmendim dhe faktin tjetër që pjesës së mbetur iu vu tritoli, zullumi bëhet kala.

Tek e fundit kjo është historia.

Mozaiku “Shqipëria” edhe me mungesën e yllit dhe të librit sërish ka elemente të shumtë që na kujtojnë periudhën 45 -vjeçare të ndërtimit socialist të vendit, ndërkohë që vetë mozaiku me 13 figura paraqet historinë 2500-vjeçare të kësaj toke.

Duke ndjekur kronologjinë kohore të figurave do të dalësh në përfundimin se periudha 5-vjeçare e Luftës Nacionalçlirimtare na del më e rëndësishme se qëndresa 25-vjeçare e Gjergj Kastriotit. Dhe ja të shohim e ta shkruajmë: Nga e djathta e gruas në qendër, e cila simbolizon Shqipërinë, është një ushtar ilir, pastaj vijnë 3 luftëtarë të mesjetës, vijon me një mendimtar që të kujton rilindjen dhe një luftëtar të kësaj kohe që në përditshmëri u kemi thënë kaçakë, që gjithashtu është pjesë e rilindjes në luftë kundër osmanëve. Fill në krah të majtë të Shqipërisë vjen një punëtor me përparëse që duket se është prodhim i viteve ’70-’80 kur Shqipëria po tentonte të kthehej nga një vend bujqësor-industrial në të anasjelltë industrialo-bujqësor. Nga krahu i majtë i gruas Shqipërinë qëndrore është një partizane dhe dy partizanë, që bëhen vetë i tretë, me pushkë e yll në ballë. Pastaj vjen një grua fshatare me pushkë në dorë. Dhe fill pas saj, në krah të gruas sërish një partizan me yll në ballë e flamur në dorë. Të gjithë të frymëzuar nga Lufta e Dytë Botërore. Duke hequr figurën qendrore të gruas që simbolizon Shqipërinë, gjashtë nga figurat, pra gjysma e tyre na kujton 50 vjet histori, ndërsa 6 figurat e tjera 2500 vjet histori.

Për momentin nuk kemi kandar ta peshojmë. Por e marrim me mend. Kur flitet për blasfeminë e heqjes së yllit, – që si simbol daton ku e ku vite më parë se në botë të shfaqej komunizmi – duhet pasur parasysh se më e vjetër se Ylli, – apo bashkëkohëse ç’rëndësi ka, – është dhe Svastika, që fillimisht njihej si një shenjë e lashtë e Diellit. Por nazistët e viteve ’30 të shekullit të kaluar e shpërdoruan aq shumë sa tanimë askush nuk i kthen më sytë nga një simbol që dikur simbolizonte paqen dhe begatinë. Po aq u shpërdorua edhe ylli. Një yll në mes të Tiranës nuk na nderonte, sado pjesë e historisë të jetë ai. Përndryshe ç’vlerë ka që u rrëzuan dhe monumentet e tjera të asaj kohe. Sipas kësaj teorie: meqenëse ishin vepra arti përmendorja 8 metra e lartë e Enver Hoxhës duhet të qëndronte në mes të sheshit Skënderbe. Dhe po në dy anët e bulevardit Dëshmorët e Kombit duhet të kishim dhe tavarish Leninin bashkë me Josif Visarionoviçin.

Ylli me pesë cepa ka qenë një element i shumë kulturave dhe ai bënte pjesë në hierarkinë e shumë simboleve e shkollave mistike kudo në botë pasi simbolizon esencën e materies. Toka, zjarri, uji dhe ajri janë katër elementët materialë, por pas tyre vjen elementi i pestë, eteri, ai që formon kuintesencën ku fillon ajo që quhet njerëzore. Ndaj ylli me pesë cepa është gjetur në Egjiptin e lashtë por bën pjesë dhe në ikonografinë e lindjes së Krishtit. Ndërkohë që pa dashjen e tij u bë dhe simboli i diktaturës së proletariatit.

Nuk i vjen e keqja Shqipërisë nga heqja e ndonjë elementi simbolik. Dhe nuk ia vlen të qajmë e të vajtojmë yllin dhe as librin në dorën e punëtorit proletar, që mund të supozojmë se do ketë qenë një vepër e Marksit apo e Leninit, por që nisur nga kushtet ku është vendosur vepra, me shumë gjasa duket të ketë qenë një vepër e Enver Hoxhës. Nuk besoj se do ngrihet dikush për të na mbushur mendjen se libri simbolizonte Bibliotekën Kombëtare dhe herezia e zhdukjes së tij e bën zullumin edhe më të madh. Kur në fakt, vepra në dorën e përfaqësuesit të klasës punëtore nuk ishte “Revolta e Atlasit” e Ain Rend por sigurisht një nga filialet e “Imperializmi dhe Revolucioni” të Enver Hoxhës.

Heqja e një ylli apo e një libri nuk i prish ndonjë gjë mozaikut madhështor, as i zgjeron diapazonin e kohës dhe as ia ngushton atë. Tek e fundit çdo turist i thjeshtë që kalon mes përmes sheshit e kupton menjëherë se vepra është frut i realizmit socialist dhe si e tillë ka mjaftueshëm elementë për të na kujtuar gjithë ditën një kohë ku Shqipëria pati një zhvillim të sforcuar që më pas u lëshua në rënien e lirë të degradimit. E megjithatë, mozaiku mbetet një vepër arti e mahnitshme.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artdashesi: 27/05/2023 09:39

    Shuarja e kujteses eshte bere kulture ne Shqiperi. Ai libri ne duart e punetorit nuk eshte as i Leninit as i Enverit, por simbol i nje klase punetore te shkolluar e te ndricuar. Po piaramida qe ishte aty, nje kryeveper e arkitektures shqiptare, nuk mund te lihej muze i periudhes se komunizmit pa e percudnuar dhe katandisur ne kete fare feje? Po kushdo qe vjen ne pushtet ketu ne Shqiperi mendon se historia fillon me te dhe oburra te shkaterrojme e te prishim ate qe kane bere paraardhesit tane. Pa dale nga ky qerthull nuk ecen vendi yne para. E kaluara duhet te shihet ne radhe te pare me respekt dhe duhet te nxirren mesime prej saj per te mos perseritur te njejtat gabime.

    Përgjigju
  • Kaltërsi: 27/05/2023 09:22

    Është sulmuar epoka komuniste, të tjerat janë "perfekte" , sipas këtij sahanlëpirësi !

    Përgjigju
  • Mergimtari: 27/05/2023 08:26

    Historia eshte ajo qe ka ndodhur dhe jo ajo qe mendojme.Retushimi i nje vepre arti tregon se si veprohet per ta shtremberuar historine.Autori i vepres ka paraqitur idet e tij te cilat "komisjoni" asaj kohe i aprovoi.Dikujt mund ti vrase syte YLLI kuq te tjeret(sado pak) e duan.Sa per librin ,qe dikush mendon se perfaqeson mesimet e komunizmit mund ta ndryshoje me nje kopertin shkencore a letrare.Libri perfaqeson DITURINE,e kunderta perfaqso injorancen.(Ku duhet ta vendosim veten?)

    Përgjigju
  • dionis: 26/05/2023 22:42

    Prandaj Shqiperia nuk ka histori sepse kushdo qe vjen ne pushtet fshin historine dhe e ben si do vete. Shpellare te ndyre, qelbesira meioker, historia nuk preket sido qe te jete.

    Përgjigju
  • xhemal: 26/05/2023 20:43

    Ky qe shkruan dicka do po' ne fund eshte nje sali

    Përgjigju
  • xhemal: 26/05/2023 20:42

    Me siguri ky qe shkruan dicka di ,po' ne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë