Rroftë 'Vëllai i Madh'

Rroftë 'Vëllai i Madh'

Kiara Tito dhe Luiz Ejlli

S’ka lënë njëri pa shkruar për “Vëllain e Madh”. Është ai që vë në rresht anonimët e djeshëm dhe artistët e mëdhenj të ditëve të sotme. Ca e ca e kanë sharë e mallkuar, ca të tjerë thjesht e kanë kritikuar. E ç’t’u them më shumë. Që unë kam vendosur të bëj avokatin e djallit, një rol që herë pas here më pëlqen e më intrigon.

Po e nis nga vetja atëherë. Nuk ishte ndonjë blasfemi kur e kapa veten me pult në dorë duke kërkuar të gjej kanalin ku Vëllai apo Byrazeri po bënte namin me tifozeri e po e linte njerëzinë pa punë.

Më parë se kaq kam ndjekur më mënyrë të çrregullt edicionet e mëparshme të “Big Brotherit” por nuk e kam anashkaluar “Big VIP”. Se aty janë VIP-at, jo për gjë. Që këtu nis loja ime si “avokat i djallit”, sepse kam shkruar duke kritikuar fenomenin. E në njëfarë mënyre nuk bën sens që unë të shkruaj fjalë të mira e të them: Rrofsh Byrazer se na nderove! Tek e fundit, kjo është puna e gazetarit, të gjejë defekte nëpër cepa e skuta dhe të sulmojë. Përndryshe mund të jesh gjithçka tjetër veç jo gazetar.

Kështu që sot dua të bëj të kundërtën. A mund të jem një “avokat djalli”?

Padyshim. Ç’të keqe ka tek e fundit. Të gjithë e kanë të drejtën e një avokati. Qoftë dhe Djalli. Dhe sot avokatë gjen sa të duash, të licensuar dhe pa diplomë. Të vijmë tek fenomeni.

Populli është një masë e thjeshtë. Edhe amorfe, kështu thuhet. Elitat janë një klasë edhe më e thjeshtë. Keni parë ndonjë milioner, ndonjë akademik apo ndonjë shkencëtar që gdhihet e ngryset me punë serioze, o duke menduar për fatet e popullit ose duke studiuar e shpikur për të mirën e popullit?

Jo, them unë. Të gjithë kanë vese. Ne si gazetarë kemi marrë atributin të vëmë në dukje veset e të tjerëve duke qenë vetë të krimbur… ndoshta edhe të korruptuar. Atëherë?

Të gjithë shohim dhe spektakle masive, që nuk të lodhin por thjesht të dëfrejnë. A e kuptoni sa e varfër do ishte jeta po të mos kishim një burrë zamani si Vëllai i Madh? Po aq sa në vitet e Pushtetit Popullor, ku shihnim 4 orë televizor, nga e cila nja dy orë e gjysmë i zinin lajmet dhe emisionet e propagandës.

Sot ke gjithfarë emisionesh, ca edukative e ca dekadente, dhe përsëri njerëzit janë të pakënaqur. Ti punon 8 orë e ndoshta më shumë. Vjen i lodhur e i rraskapitur në shtëpi. Dhe si do të vazhdojë jeta më pas, në mënyrë hipotetike: Si ke ngrënë drekë e darkë bashkë, ngrihesh rëndë-rëndë dhe tërheq nga etazheri një libër të Fridrih Niçes, se do të kuptosh thellësisht teorinë e tij të Mbinjeriut. Pastaj i hedh një sy Ajnshtainit se të kujtohet Teoria e Relativitetit, e meqenëse nuk e ke kuptuar si duhet, i futesh edhe një herë studimeve që të kapësh dimensionet e kohës dhe hapësirës. Më pas… ndjek në televizor ose një film me temë historike ose një dokumentar ku flitet për jetën e një heroi që ka dhënë xhanin për Vatanin. Pak më pas se kaq…? Gjumë.

A kalohet jeta kështu? Jo or jo, sepse me shumë gjasa të gjithë ne bëjmë të njëjtën gjë: plasemi në kolltuk e me ankth të madh nisim të ndjekim “Vëllain e Madh” po aq sa dhe emisionin: “Djemtë kërkojnë vajza e vajzat kërkojnë djem”. Ky është relaksi. Se vëllaçkoja vëllaçko mbetet, nuk të hedh poshtë e nuk të lë pa gjë.

Ne të gjithë kemi nevojë për banalitet. Ndaj dhe kemi celularë në dorë, që pasi na është lodhur koka duke lexuar filozofi e histori antike, shohim vajza gjysmë të zhveshura që pozojnë të pasmet në ekran, për t’i thënë botës: shiko sa të mëdha i kam. Kjo është jeta tek e fundit. Pavarësish se ne si shqiptarë e teprojmë ca e i ngremë këngë një banori që vjen vërdallë duke pirë duhan e tundur zinxhirin: Enver Hoxha e mprehu shpatën / edhe një herë o për situatën…

Dale mo se ngatërrova emrin e personazhit…  Është fjala për atë tjetrin, që “asht shkodran e tana i ban”. E që spostoi këtë vit atë të një viti më parë i cili ishte nga Vlora, që i bënte të tëra. E ja, kështu ngrihen këngët për heronjtë e rinj. Që në të gjallë të tyre. -Po më këndoni dhe këngë për dhëndrin moj, trimin e nënës. Por zonja Kote ishte aty, për t’u marrë me thashetheme nën zë.

-E ç’t’i këndojmë, trimërinë apo burrërinë. Jemi shoqëri anatemuese, s’ke ç’i thua. Se edhe kur flitet për një “realitet shou” gjithsesi kalojmë në tifozeri: Mirë ja bëri… U bë kjo… Ai bossi është lojtar i modh…

-Heu, me çfarë skuadre? Byrazer ç’na bëre, shqiptarëve iu është prishur dyzeni. I ke futur në sherr. S’ka portal që nuk merret me gic-micet e këtij spektakli mbarëpopullor. Megjithatë jeta jonë është më mirë kur ka në mes një spektakël të këtij kalibri, sesa pa gjë. Televizionit me emisione moralizuese i ka ikur koha.

Vëllai i Madh sot po prodhon lajme më shumë se lufta Rusi-Ukrainë. Edhe më shumë se kampionati botëror i futbollit. Tek e fundit ai po na argëton, na bën të ndihemi mirë: “të harrojmë fukarallëkun që po na mbyt e malarien që po na pi të gjallë”.

-Rroftë Vëllai i Madh! Dhe me të drejtë, ai me qyfyret e tij karagjoze na bën të harrojmë budallallëqet serioze të jetës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare