TIRANE- Hajrie Rondo aktorja e njohur e kinematografisë dhe e Teatrit e cila me vite të tëra na ka dhuruar kënaqësi sot ka nevojë për ndihmë. Në një rrëfim për gazetën “Shqiptarja.com” vajza e saj, Klea Rondo ndan me lexuesin momentet e vështira të mamasë së saj (Hajrie Rondos), gjendjen e saj emocionale dhe padiskutim shpirtin e saj luftarak ashtu siç shumkush e njeh në skenë.

Një fushta sensibilizuese e dy mikeshave të saj në Fier, deputeteve të zonës, Majlinda Bufi dhe Adelina Rista, iniciatore të këtij aktiviteti, i kanë bërë thirrje komunitetit të ndihmojnë bashkëqytetaren e tyre, me të cilën është personifikuar dhe njohur arti fierak, në shkallë kombëtare dhe më gjerë. Qytetarë të ndryshëm, janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë dhe ndihmojnë artisten Rondo. Aktorja Hajrie Rondo numëron më shumë se 120 role në teatër dhe film.
 
Kur e morët vesh për sëmundjes e nënës. Cilat ishin shqetësimet e para që pati?
Pas një egzaminimi që bëri në Shqipëri në pranverë, mami u diagnostikua me një infeksion që nuk mund të kurohej në Tiranë nga mjeket këtu. Direkt pas diagnozës ajo iku në Greqi ku bëri dy operacione, një në stomak dhe një në zorrë. Gjatë operacionit i bënë një biopsi akute, ku rezultoi që kishte një gjëndër kanceroze, ku pas operacionit i caktuan të ndiqte seancat e kimioterapisë.
 
Me çfarë po merrej këtë kohë Znj. Hajrie Rondo. Kishte ndonjë projekt artistik nëpër duar?
Angazhimi i fundit i mamit (Hajrie Rondo) ka qenë tek filmi “Agon” i Robert Budinës para një viti e gjysmë, ku një pjesë e xhirimeve është bërë në Selanik.
 
Si ka qenë aktiviteti artistik gjatë këtyre viteve të fundit?
Përveç filmit “Agon”, nuk është se ka pasur ndonjë aktivitet artistik të ngjeshur pasi mami ka dal edhe në pension. Herë pas here ka pasur oferta edhe nga Teatri i Fierit “Bylis” por nuk është se i ka pranuar pasi nuk është ndjerë dhe aq mirë, sidomos këto dy vitet e fundit.
 
Padiskutim që është një situatë e vështirë dhe emocionale, por pas kontakteve me mjekët ju kanë dhënë shpresë mjekët? Si është gjendja e saj momentalisht?
Gjendja e saj është pak më mirë në këto momente pasi ka mbaruar ciklin e kimioterapive. Nga konsultat e herë pas hershme mjekët janë optimist dhe këtë periudhë po ndiqet me anë të një kure.
 
Momentalisht po ndiqet në Shqipëri?
Po prej kohësh tani po ndiqet nga stafi mjeksor në Tiranë dhe besoj se gjendja e saj po përmirësohet. Le të shpresojmë  që gjithçka do të shkojë mirë. Le të jemi në dorë të Zotit!
 
Fushata sensibilizuese që nisi nga dy miket e saj deputetet e zonës së Fierit, Majlinda Bufi dhe Adelina Rista tashmë është shtrirë në çdo cep të Shqipërisë...Si e ka pritur Znj. Rondo?
Unë mendoj që, jo vetëm për mamanë time, por për çdo artist apo njeri që pranon maksimumi kontributin të shihet me ndjeshmëri, të ketë sadopak ndjeshmëri ndaj këtyre njerëzve që përjetojnë situata të tilla në luftë për jetën. Në fakt, mami ka një guxim të paparë pasi ishte vetë ajo që vendosi të ikte në Athinë dhe të kurohej, padiskutim pa ndihmën e motrave të saj (tezeve) nuk do të ja dilnim përsa i përket anës financiare.
 
Një personazh me karakter luftarak në skenë. Si po i përjeton këto ditë të vështira?
Në fillim ishte paksa e demoralizuar, kishte pak frikë pasi çdokush që përballet më këtë sëmundje gjendja e ankthit të pushton, por tani është goxha më mirë edhe përsa i përket natyrës së saj optimiste, kurajos dhe motivit për të jetuar çdo ditë. Mami ka një shpirt luftarak ashtu siç theksuat dhe ju, është një femër me karakter brilant.
 
 
Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)