Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë pas vrasjes Darya Dugina, vajzës së këshilltarit të tij Aleksandr Dugin duke e quajtur një krim mizor dhe të poshtër.
"Një krim i poshtër dhe mizor" që theu jetën e një personi të shkëlqyer dhe të talentuar, një zemër të vërtetë ruse, të sjellshëm, të dashur, të kuptueshëm dhe të hapur. Ajo i tregoi atdheut të saj me fakte se çfarë do të thotë të jesh patriot i Rusisë", kështu ka shkruar presidenti Vladimir Putin, i cituar nga kanali në Telegram i Kremlinit në një mesazh ngushëllimi për vrasjen e Duignas.
Darya Dugina, vajza e filozofit dhe këshilltarit të ngushtë të Putinit, Aleksandr Dugin, u vra në një atentat me bombë.
Sipas hetuesve rusë, brenda mjetit " Toyota Land Cruiser", të cilin ajo do ta përdorte ka pasur një bombë, e cila ishte vendosur nën sedijen e shoferit.
Makina "Toyota Land Cruiser" ishte e të atit të saj, ku si duket atentati ka pasur atë në shënjestër dhe jo vajzën e tij. Aleksandr Dugin do të futej në makinë por në momentin e fundit hipi në një automjet tjetër. Siç raportoi gazeta ruse 112, 35-vjeçarja Darya Dugin dhe babai i saj 60-vjeçar do të ktheheshin në Moskë me të njëjtën makinë. Shpërthimi ndodhi të shtunën në mbrëmje në fshatin Bolshiye Vyazyomy, pranë Moskës.
Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë (FSB) ka akuzuar shërbimin sekret të Ukrainës se qëndron pas sulmit me bombë, që la të vrarë vajzën e një ideologu të së djathtës ekstreme, që ka lidhje me Kremlinin. Kievi menjëherë ka mohuar se ka lidhje me vdekjen e Darya Dugina, e cila u vra pasi makina me të cilën po udhëtonte eksplodoi në rajonin e Moskës më 20 gusht.
FSB pretendoi më 22 gusht se “autori” i këtij krimi ishte një ukrainas, i cili kishte udhëtuar në Rusi përmes Estonisë. Ky shërbim nuk tregoi asnjë të dhënë për të mbështetur këto akuza.
Disa analistë janë dyshues ndaj pretendimeve ruse, duke theksuar se distanca nga kufiri i Estonisë për në Moskë është pothuajse 770 kilometra dhe kjo distancë me makinë kalohet për rreth 10 orë. Ata shtuan se që autori të ikë nga vendi i krimit, i bie që ai do të duhej të kalonte nga Rusia në Estoni, pa u ndaluar në kufi. Agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS, citoi një burim nga shërbimet e sigurisë të ketë thënë se bomba është aktivizuar me telekomandë, por nuk dha më shumë detaje. Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak, mohoi se Kievi qëndron pas vdekjes së Duginas, dhe përmes një postimi në Twitter tha se përpjekjet për t’ia hedhur fajin Ukrainës për këtë ngjarje janë “të padobishme”.
Rusia tha se ka nisur hetimin për vdekjen e Darya Duginas dhe autoritetet po kryejnë hetime forenzike për të kuptuar se çfarë realisht ndodhi. Departamenti amerikan i Shtetit më 22 gusht dënoi fuqishëm shënjestrimin e civilëve kudo në botë, kur zëdhënësi i këtij institucioni, Ned Price, u pyet për vrasjen e Duginas. Darya Dugina u përshkrua nga familjarët e saj si gazetare dhe analiste politike, e cila kishte marrë pjesë në një festival jashtë Moskës. Babai i saj, Aleksandr Dugin, tha se ata kishin vendosur të ndërronin makinat në minutën e fundit.
Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar vrasjen e Duginas si “krim të neveritshëm”.
Aleksandr Dugin është autor dhe ideolog i të djathtës ekstreme ruse, dhe për kohë të gjatë ka kërkuar që Ukraina t’i bashkohet Rusisë. Ai është një prej ideologëve kryesorë të lëvizjes neo-eurozianiste të Rusisë, ideologji, që sipas njohësve të politikës, i ngjan nazizmit. Putin shpesh ka përsëritur pikëpamjet dhe deklaratat e Duginit. Edhe pse lidhjet e tij me presidentin rus janë të paqarta, Dugin shpesh përshkruhet si “truri i Putinit”. Dugin dhe vajza e tij ishin mbështetës të zëshëm të luftës kundër Ukrainës. Aleksandr Dugin është në listën e sanksioneve perëndimore qëkur Rusia aneksoi Krimenë më 2014./REL
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha të hënën se kishte zgjidhur rastin e vrasjes në një atentat me bombë të Darya Dugina dhe se Ukraina ishte drejtpërdrejt përgjegjëse.
FSB tha për mediat ruse se një grua ukrainase ishte zhvendosur në Rusi në korrik së bashku me vajzën e saj të vogël, por se ajo ishte në fakt një kontraktore e shërbimeve speciale ukrainase. Mendohet se objektivi i atentatit të ketë qenë Aleksander Dugin, babai i saj. Ai është filizof dhe këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, një person i konsideruar mik i Putinit.
Ata thonë se autorja e dyshuar ukrianse mori me qira një apartament në të njëjtën ndërtesë ku qëndronte Dugina,ku u përgatit për sulmin. Në atë kohë, ajo dyshohet se e ndoqi gazetaren përmes Moskës me një Mini Cooper, për të cilin përdori tre targa të ndryshme dhe pas atentatit ajo u arratis më pas në Estoni pas shpërthimit, tha FSB.
Një këshilltar i presidentit të Ukrainës Zelensky, Mykhailo Podolyak, tha se versioni i ngjarjeve të FSB-së ishte vetëm një "propagandë ruse" nga "një botë imagjinare".