Vera shkoi e bashkë me të edhe familjarët tanë që jetojnë prej vitesh jashtë Shqipërisë. Pata fatin të kem në familje disa nga të mitë e të ndanim bashkë dreka, darka dhe udhëtime. Pata fatin të dëgjoj prej tyre fjalë të mira për Shqipërinë, edhe pse vetë, e dimë, se nuk jemi ende vendi si na shohin në ato pak ditë të dashurit tanë emigrantë.

Kur shoh torturën që mijëra familje shqiptare pësojnë në gusht në portin e Barit, adhuroj ata të moshuar, gra e fëmijë që presin orë të tëra në të nxehtin e padurueshëm e nën diskriminimin dhe kushtet minimale njerëzore vetëm e vetëm për të ardhur në Shqipëri.

Por nga ana tjetër, adhuroj edhe shqiptarët e Shqipërisë, të cilët, ndryshe nga çdo vend i botës së qytetëruar e perfekte, kur i vijnë miqtë nga jashtë hapin shtëpinë, lënë punën e vihen në dispozicion për të bërë më të mirën e mundshme. Mendoni të mbajnë e të të shëtisin për dy javë, apo një muaj në Itali, Francë apo SHBA familjarët tanë që janë andej. Nuk do të linin dot punën, nuk do të çonin dot nëpër restorante e nuk do të bënin dot udhëtime për të shoqëruar askënd. Këtë e mirëkuptojmë dhe e dimë. Pas largimit nga Shqipëria, po shohim në rrjete sociale mes shumë lavdërimeve e fotografive të mrekullueshme, disa reagime... të frikshme.

Ajo që po ndodh këto ditë të para shtatori është diçka njerëzore dhe e pritshme, por që tregon se sa shumë punë kemi akoma për t'u përmirësuar, pikësëpari brenda vetes. Kush jeton prej vitesh në Gjermani, në Holandë, Austri a Belgjikë, është mësuar me standarde shtetesh që nuk dalin nga kafazë 40 vjeçarë diktature apo tranzicioni të lodhshëm e sfilitës si i yni; e megjithatë, i panatyrshëm më duket reagimi i pak prej tyre, egërsia, ofendimet për sa panë e për kë takuan në Shqipëri. Këto reagime - ato më poshtërueset -  të hedhura në rrjetet sociale u morën nga disa media e u shpërndanë me shpejtësi. Dihet, në rrjetet sociale më shumë pëlqime (like) marrin reagimet ekstreme: ose shumë urrejtje, ofendime ose tepër eros, luks e ekzagjerim, ndryshe, askush nuk të vë re në vorbullën globale.

Ndoshta nuk vlen të përsëris që shkruhej se këtu gjetën injorancë, padituri, shthurje, falsitet, mjerim, shëmti, degradim e të tjera përshkrime që çonin poshtë e më poshtë në humnerë realitetin shqiptar me thirrjen që prej këtej  duhet ikur sa më shpejt, ende pa u çmendur përfundimisht.

Në të vërtetë, nëse do të shohim të keqen mes nesh, epitetet e tmerrshme nuk mbaronin vetëm me ato rreshta që autoret (vajza kryesisht) hodhën në rrjet. Mes nesh e dimë se ka ende vese e fenomene akoma më të rënda dhe të shëmtuara që prekin të drejtat elementare njerëzore dhe me këto probleme përballemi përditë; torturohemi nga këta përbindësha të krijuar brenda nesh në kushte eksperimentale të një diktature që krijoi "Njeriun e ri" e të një tranzicioni që këtij "Njeriu" plot probleme i mikloi vetëm Egon e sëmurë.

Shqiptarët më të mirë po merren pikërisht me këtë: së pari po luftojnë të përmirësojnë veten e pastaj me aq sa mund të bëjnë për komunitetin, për Shqipërinë.

Vajzat e indinjuara emigrante bëjnë mirë që na plasin në sy Përbindëshin që është ende brenda nesh; e shohim përditë ende të egër e primitiv që shfaqet në forma e veprime të ndryshme, por e habitshmja dhe e pabesueshmja është që ky Përbindësh rezistoka kaq shumë edhe tek ata që nuk jetojnë më në të njëjtin habitat e në të njëtat kushte. Duket sikur ka marrë forma të reja perëndimore, por nga gjuha, agresiviteti, përbuzja, racizmi, diskriminimi, mosmirënjohja,  dhe thika vrasëse e fjalës, është i njëjti Përbindësh shkatërrues që njohim në Shqipëri. Sfida e vërtetë? Lum kush shpëton prej tij.

 

*Foto ilustruese "Përbindëshi i Diktaturës" nga Rajmonda Zajmi Avignon, ekspozuar në muzeun Bunk'Art2

*Foto brenda shkrimit: Shqiptarë në verën e viti 1990 pushtojnë Ambasadën Gjermane në Tiranë, në arrati nga Diktatura