Paragjykimet që e rrethuan, duke nisur nga njerëzit më të afërt, familja dhe shoqëria, nuk e largoi Maristela Hysenin, nga ëndrra e saj. Arsimi profesional i argumentohej shpesh si një zgjedhje për djemtë e kryesisht nxënës me mesatare të ulët, por sot, ndihet e lumtur që zgjodhi hoteleri-turizmin.

“Unë kam qenë në dilemë, sepse familja ime ka qenë për një gjimnaz të përgjithshëm dhe jo shumë pas një gjimnazi profesional. Fillimisht shoqëria ime, pjesa tjetër e shoqërisë që vazhduan gjimnazin e përgjithshëm më thoshin: si e ke zgjedhur si shkollë? Sepse zakonisht hoteleri turizëm është një shkollë që futeshin nxënës me mesatare shumë të ulët dhe nxënës ku zakonisht ishin pjesa më e madhe çuna dhe jo vajza. Le të themi që deri në një farë periudhe ka qenë disi sfiduese. Kam bërë një ndër zgjedhjet më të mira për veten time sepse më bëri të ndihem më e pavarur” thotë Maristela Hyseni.

“Në fakt ekziston një formë stereotipash në lidhje me arsimin profesional. Sikur të jep atë fokusin vetëm për pjesën e një profili që ti do të punosh dhe nuk do kesh mundësi më vonë për diçka tjetër, por arsimi profesional nuk është fare absolutisht që të pengon sepse unë kam vazhduar dhe Universitetin ekonomik pasi kam mbaruar arsim profesional edhe master shkencore kështu që nuk ka qenë absolutisht më pengesë. Kështu që ky stereotipi duhet të hiqet sikur atje nuk shkojnë nxënës që kanë nivel mësimor ose pjesën e notave ose mesatares”, shprehet Elisa Kita - mësuese hoteleri turizëm.

Maristela Hyseni tregon se, kjo zgjedhje e ka ndihmuar të integrohet më shpejt në tregun e punës krahasuar me bashkëmoshatarët.

 “Unë e nisa fillimisht shkollën për kuzhinë, por më pas ndryshova mendimin. Provova fusha të ndryshme si kuzhinë, pastiçeri, recepsion dhe zgjidhja ime përfundimtare ishte recepsioni, ku aktualisht punoj në një në një hotel si recepsioniste”, thotë Hyseni.

Sot 21 vjeçare, ajo vijoi edhe arsimin e lartë, dhe është studente në vitin e dytë në Fakultetin Ekonomik.

Ndër degët më të preferuara nga vajzat zgjedhin në shkollën e mesme profesionale Hoteleri – Turizëm janë kuzhina, recepsioni dhe teknologjia ushqimore, duke dëshmuar një interes në rritje për profesionet praktike.

23 prilli shënon “Ditën ndërkombëtare të Vajzave në Arsimin Profesional” ku synohet thyerja e stereotipave gjinorë.