TIRANË- Nga SHBA, aty ky ndodhet prej 4 ditësh, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vaksinimi anti-COVID në Shqipëri do të nisë në dy muajt e parë të vitit 2021. Në treg do të jetë jo vetëm vaksina Pfeizer, por po bëhen përpjekje për të marrë edhe dy llojet e tjera të prodhuara nga Moderna dhe Astrazeneca.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se takimi me bosin e  Pfeizer, Albert Burla i zhvilluar në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork ishte shumë pozitiv. Ndonëse e cilëson si një sfidë shumë të vështirë, ai premton se Shqipëria nuk do të mbetet pas krahasuar me vendet e tjera, nisur nga fakti që prodhimi i vaksinave është ende shumë i ulët krahasuar me kërkesat botërore.

"Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë - një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse.

Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.

Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t'ia dalim,pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat", shkruan Rama. 

Bosi i Pfeizer, Albert Burla me kryeministrin Edi Rama

Ashtu siç është bërë e ditur më herët, vaksina do të jetë falas. Shqipëria është pjesë e aleancës GAVI dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX ka siguruar tashmë 1,114,000 doza vaksine (1 qytetarë bën dy doza, pra bëhet fjalë për 570 mijë qytetarë ose 20% e popullatës që janë dhe grupet vulnerabël). Aktualisht, portofoli i COVAX Facility përmban mbi 10 kompani të ndryshme, mes tyre Moderna dhe Astrazeneca,  që po merren me zhvillimin e një vaksine kundër COVID dhe po punon për të lidhur marrëveshje edhe me kompani të tjera. Vaksinat po prodhohen bazuar në 5 teknologji të ndryshme që sa më shpejt të fillojë shpërndarja e dozave të vaksinës.

Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë - një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse. pic.twitter.com/gBGEuFDb9Z

— Edi Rama (@ediramaal) December 9, 2020