E shtuna në La Liga ka dhuruar një rezultat mjaft surprizë pasi Barcelona është mposhtur 2-0 në sfidën më të rëndësishme të javës së 21 kundër Valenecia-s. Që ky do të ishte një takim shumë i vështirë për katalanasit u pa që në minutën 12 kur vendasit humbën një penallti të goditur nga Gomez. Në këtë rast merita ishte portierit të rikthyer nga dëmtimi Ter Stegen.
Gjithsesi këmbënguljet e Valencia-s do të shpërbleheshin në fillimin e pjesës së dytë kur një top i devijuar nga Jordi Alba do të përfundonte në rrjetë. Pritej reagimi i Barcelonës, por në minutën e 77 do të vinte befasia e radhës. Gomez në hyrje të zonës goditi duke lënë të shtangur Ter Stegen dhe duke goditur rëndë shpresat e ‘blaugranave’ për pikë.
Më tej Valencia u mundua të përfitonte nga hapësirat e lëna bosh nga Barcelona për ta kapur në kundërsulm, por deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit nuk pati më ndryshime në rezultat.
Më herët në La Liga Espanyol dhe Atletic Bilbao ndanë pikët pas një barazimi me rezultatin 1-1. Ndërkohë nesër mund të kemi një rrokadë në vendin e parë të klasifikimit në rast se Real Madrid fiton ose barazon kundër Valladolid në transfertë. Aktualisht si ‘galaktikët’ dhe Barcelona janë me kuotë të barabartë pikësh, 43.