Korça është kthyer këto ditë në qendrën e folklorit ballkanik, me organizimin e edicionit të tetë të festivalit ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”. Për dy netë me radhë, qyteti juglindor ka mirëpritur grupe artistike nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, të cilat kanë sjellë për publikun këngë, valle dhe tradita popullore të trashëguara ndër breza.
Atmosfera festive pushtoi rrugët kryesore dhe pedonalen e qytetit, ku parada e ansambleve folklorike me kostume tradicionale shumëngjyrëshe tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve dhe vizitorëve. Në skenën e ngritur në Pazarin e Vjetër, grupet pjesëmarrëse nga Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia interpretuan valle dhe këngë karakteristike, duke promovuar kulturën dhe identitetin e vendeve të tyre.
Drejtoresha e Artit dhe Kulturës, Blerta Belliu, e cilësoi festivalin si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike për Korçën. Sipas saj, risia e këtij edicioni ishte bashkëpunimi mes Orkestrës Simfonike të Korçës dhe orkestrës nga Katerini i Greqisë, një performancë që solli në skenë ndërthurjen e dy kulturave të afërta ballkanike.
Pjesëmarrësit e huaj vlerësuan mikpritjen korçare dhe rëndësinë e festivalit në forcimin e lidhjeve kulturore mes vendeve të rajonit. Përfaqësues nga Greqia dhe Mali i Zi shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, duke theksuar se festivale të tilla krijojnë ura bashkëpunimi dhe miqësie mes popujve të Ballkanit.
"Unë jam nga Mali i Zi, do të performojmë koreografinë tonë. Dy koreografitë tona quhen Cërnagora dhe Cernogorka. Është shumë qejf këtu dhe shpresoj që dhe ju të kënaqeni duke na parë. Pashë grupin e shqiptarëve dhe më lanë pa fjalë. Kërcejnë aq bukur dhe janë gjithmonë shumë të qeshur dhe alegro. Më pëlqeu atmosfera që krijuan, janë gjithmonë të lumtur dhe më pëlqeu ccdo gjë nga kërcimi i tyre” tha një valltar nga Mali i Zi
"Ne vijmë nga Selaniku dhe do të kërcejmë koreografi folklorike, Zeibekiko, Zorba, Sirtaki. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu, për ne është gëzim i madh. Urime organizatorëve dhe shpresojmë të vijmë sërish sepse në këtë mënyrë ne lidhim kulturat tona të Ballkanit. Kjo gjë na lumturon dhe është shumë gjë e bukur. Ishim në Korccë edhe vitin e kaluar, rikthehemi sërish dhe është shumë bukur këtu” tha një zonjë nga Greqia.
Në festival morën pjesë pesë grupe folklorike konkurruese, përfaqësuese të pesë shteteve të Ballkanit, ndërsa programi artistik u pasurua edhe nga performancat e tre grupeve muzikore të ftuara.
Në natën finale, pesë grupet folklorike u ngjitën në skenë për t’u vlerësuar nga një juri profesionale, duke mbyllur kështu një tjetër edicion të suksesshëm të “Shpirti i Ballkanit”, një festival që promovon kulturën, traditat, miqësinë dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.
Ansambli i Maqedonisë së Veriut rrëmbeu çmimin e madh të festivalit.
Komente






